Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka mbledhur ministrat në Radhimë të Vlorës për të bërë një rezyme të sezonit turistik 2018.
Qeveria ka nisur të bëjë bilancin e sezonit turistik dhe vendi i zgjedhur nga Kryeministri Edi Rama për të folur për shifrat në këtë drejtim ka qenë Vlora.
Në bregdetin e Radhimës, Rama zhvilloi një takim me rojet bregdetare, ku merrnin pjesë edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ai i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
Ministrat bënë një rezyme të punës të secilit dikaster në shërbim të turizmit. Xhafaj foli për sigurinë.
“Gjatë këtij sezoni angazhuam 1000 forca policore në shërbim të qytetarëve. Ky ishte sezoni turistik pa asnjë incident të rëndë. Ka pasur një ulje të ndjeshme të vjedhjeve në plazhe dhe ne e menaxhuam më mirë trafikun. Në bashkëpunim me Bashkitë dhe bizneset u bë e mundur që të vendosnim rregulla për qarkullimin e mjeteve ujore. Fillimi ishte i vështirë. Kemi pasur edhe keqkuptime, por i rëndësishëm është fakti që për herë të parë nuk kemi incidente nga mjetet ujore”, deklaroi Xhafaj.
Ministri tha se ka patur një rritje me 26 përqind të hyrjeve në dogana përgjatë këtij viti në krahasim me një vit më parë. Entuziast pr shifrat ishte edhe Edi Rama.
“Lajmet e mira nuk bëjnë lajm dhe lajmet e këqija marrin dhenë. Deri në fund të vitit duam të shkojmë deri në gjashtë million turistë. Të gjithë e dinë që nuk ka të krahasuar me sezonët e mëparshëm”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.