Lajme

Bien investimet kapitale, nuk shpenzohet asnjë lek nga fondi për tërmetin

Qeveria nuk ka arritur të realizojë asnjë shpenzim të parashikuar për tërmetin në muajin janar, ndërsa investimet kapitale që janë kaq të domosdoshme për të ringritur ekonominë e ngadalësuar, kanë qenë pothuajse zero.

Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale në janar ishin vetëm 566 milionë lekë, me një rënie prej 84% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në janar, përgjithësisht realizimi i investimeve kapitale është në nivele të ulëta për shkak të vonesave në çeljen e fondeve buxhetore, por këtë janar, shpenzimet kapitale janë më të ulëtat e dekadës .

Ndonëse plani i shpenzimeve kapitale në janar ishte rreth 1.5 miliardë lekë, pothuajse sa gjysma e faktit të janarit 2018, sërish realizimi i tij ishte 62% më pak sesa plani.

Një tjetër zë i parashikuar në buxhet është ai i fondit të rindërtimit, i rialokuar pas tërmetit me pasoja shkatërruese të 26 nëntorit. Ky fond për janarin ishte parashikuar në 800 milionë lekë, por realizimi i tij ishte zero.

Në total, shpenzimet buxhetore ishin 32.5 miliardë lekë në janar 2020, pothuajse në të njëjtin nivel me faktin e një viti më parë, ose 7.3% më pak sesa plani. Kursimi ka ardhur tërësisht nga mosrealizimi i investimeve kapitale dhe fondeve të parashikuara për tërmetin. Në të kundër, shpenzimet korente u zgjeruan me 10.3%, të ndikuara nga pagat, interesat, fondet speciale për skemën e pensioneve. Në rritje ishin dhe shpenzime të tjera për pagesën e papunësisë dhe ndihmën sociale.

Në janar nuk u shpenzua asnjë lek nga fondi rezervë, i parashikuar prej 310 milionë lekësh.

Të ardhurat u rritën me 4%, buxheti me suficit

Në janar, kahu i të ardhurave ishte pozitiv, teksa hyrjet në buxhet u rritën me rreth 4% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 3 miliardë lekë. Kjo tendencë u ndikua nga performanca e mirë e doganave (me +10%), ndërsa të ardhurat nga tatimet ranë (-2%). Në raport me planin, të ardhurat ishin 0.4% më të larta. 

Me të ardhurat, që ishin sipas planit dhe nga shpenzimet ishin 2.6 miliardë lekë më të ulëta sesa parashikimi, buxheti ka rezultuar me suficit në janar. Financat kanë shpenzuar 3.5 miliardë lekë më pak sesa kanë mbledhur. Ky suficit ishte 57% më i lartë se në janar 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë