Financa Personale

Bien fort kursimet e shqiptarëve gjatë shkurtit, 15 mld lekë më pak

Nga Gazeta ‘Si’ - Në muajin shkurt stoku i kursimeve në banka ka shënuar një rënie të ndjeshme, me 15 mld lekë të tërhequra,1.2% më pak se në janar. Stoku total i depozitave vlerësohet 1.28 trilionë lekë, sipas Bankës së Shqipërisë.

Kjo është rënia më e madhe në tre vitet e fundit.

Në shkurt 2023 rënia ka ardhur si nga kursimet në lekë, ashtu dhe në atë të huaj. Depozitat në lekë u tkurrën me 1% në krahasim me janarin (-5 miliardë lekë) dhe ato në euro me -1.3% (-9.6 miliardë lekë).

Gjatë vitit 2022, stoku i depozitave nuk ka qenë i qëndrueshëm, pasi nga muaji në muaj, ndryshonte tendenca nga rritja në rënie ose e anasjella. Në muajt paraardhës, u vu re dhe një tendencë për të rritur depozitat në lekë, duke kaluar ato në valutë, por që mesa duket nuk zgjati shumë, edhe pse më norma të rritura interesi. Nga shkurti 2022 në atë 2023, kursimet janë zgjeruar me 4.2%. Një vit më parë, zgjerimi vjetor ishte 10.1%.

Viti 2023 nisi me vlerën më të lartë të stokut të depozitave në vend, duke arritur shifrën e 1.3 trilion lekëve në fund të muajit janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë