Futboll

Bie rregulli 25-vjeçar në Angli, kthehet tifozllëku në këmbë në stadiume

Tifozët e Premier Ligës dhe Championship, dy kategoritë e para të futbollit anglez, mund të bëjnë tifozllëk në këmbë në sektorët e tyre, si dikur. Pritet që kjo gjë të ndodhë në janar të 2022-shit, si pjesë e projektit pilot dhe vetëm në ato struktura që plotësojnë të gjitha kushtet. Më pas qeveria britanike do të bëjë llogaritë.

Bëhet fjalë për një mini-revolucion në mënyrën e përjetimit të ndeshjeve në stadium nga tifozët anglezë, shpesh të ndarë në lidhje me këtë temë. Në vitin 2018, një peticion online për rikthimin e tifozllkëut në këmbë kaloi me shpejtësi 100 mijë firmat.

Tifozët e Liverpulit gjatë një ndeshjeje. Gazeta Si, 23 shtator 2021

Rikthimi i zonave, ku mund të bëhet tifo në këmbë ishte prezantuar nga qeveria në programin para zgjedhjeve të 2019-ës dhe përgjithësisht mori mbështetje në gjithë vendin. Pika e nisjes është një studim i kryer në sezonin 2019-2020, para nisjes së pandemisë, në lidhje me sigurinë e stadiumeve. Do të bjerë poshtë kështu një rregull në fuqi prej 25 vitesh, i futur në Premier Ligë dhe Championship pas tragjedisë së Hillsborough në 1989-ën, që shkaktoi vdekjen e 97 tifozëve të Liverpulit.

Duhet të jenë klubet që, deri më 6 tetor, duhet të kërkojnë të bëhen pjesë e këtij programi. Dhe ato klube që do të marrin aprovimin, mund ta testojnë “safe standing areas” nga fillimi i vitit e deri në fund të sezonit.

"Kemi qenë gjithmonë të qartë për faktin se kemi punuar me tifozët dhe klubet për të bërë të mundur sërish tifozllëkun në këmbë për ndeshjet më të rëndësishme të futbollit, por kur të jenë kaluar provat e një impakti pozitiv në lidhje me sigurinë e publikut", - shpjegon Nigel Huddleston, ministri i sportit në Britani. "Tani që kanë dalë rezultatet e këtij studimi dhe që tifozët po kthehen në stadium, është momenti i duhur për ta bërë këtë hap përpara”, - ka shtuar ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë