Motosport

Bie poshtë ankesa e Ferrarit, mbetet në fuqi dënimi i Karlos Sainz në Australi

Gazeta Si – Bie poshtë rekursi i Ferrarit në lidhje me penalitetin e komisarëve sportivë ndaj Karlos Sainz në garën e Australisë, për shkak të kontaktit me Aston Martinin e Fernando Alonsos, pas rinisjes në flamurin e dytë të kuq.

Pas përfundimit të garës së Melburnit, ferraristi Karlos Sainz kaloi nga vendi i 4-t në të 12-in, për shkak të penalizimit me 5 sekonda për atë incident. Spanjolli ruan po atë pozicion edhe pas ankimimit të Ferrarit, që ushtroi të drejtën e rishikimit të episodit.

Karlos Sainz. Gazeta Si, 18 prill 2023

Elementët që ka ofruar skuderia italiane nuk kanë qenë të mjaftueshëm, që komisarët të ndryshonin gjykimin e tyre. Drejtuesit e Ferrarit iu referuan nenit 14 të rregullores sportive, të drejtës së rishikimit që skuadrat dhe pilotët mund të përdorin kur kanë prova të reja, që komisarët nuk i kanë pasur në momentin e vendimit.

Reklamimi u vlerësua nga të njëjtët komisarë të Melburnit, Enrique Bernoldi, Nish Shetty, Loic Bacquelaine dhe Christopher McMahon. Elementët shtesë të ofruar nga Ferrari nuk ishin domethënës për ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë