Arsim

Bie numri i studentëve të huaj në Shqipëri

Në Shqipëri në 2017 kanë ardhur më pak studentë të huaj për të studiuar. Të huajt që kanë ardhur për qëllim studimi në vend janë sa 5, 1 % e totalit të të huajve në Shqipëri.

Trendi rënës i shtetasve të huaj që studiojnë në vendin tonë ka nisur në 2016 pas bumit që ndodhi në 2015 kur numri i studentëve të huaj në Shqipëri ishte 842.

Në vitin 2017 kanë studiuar në vendin tonë 656 studentë, 4 më pak se në 2016-ën.

Në fakt, në 2014-2015 qeveria shqiptare nisi reformën në arsimin e lartë duke “i vënë ruspën” universiteteve dhe shkollave të arsimit të lartë, publike apo private në bazë  të disa kritereve.

Në atë kohë, në fillimvitin akademik 2014-2015, pas përfundimit të fazës së parë të reformës në arsimin e lartë, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, zhvilloi një takim të tensionuar me drejtuesit e universiteteve, të cilëve u dha rekomandim për mbyllje dhe heqje licence për një periudhë 2 vjeçare. Takimi i ministres me drejtuesit e universiteteve, u shoqërua me debate dhe akuza sa i takon masave të marra nga qeveria për këto universitete të cilat konsistonin në pezullim aktiviteti dhe heqje licensash.

Më herët, në vitin 2012, një skandal shpërtheu në lidhje me shitjen e diplomave.

Djali i ish-liderit të Lega Nord, Umberto Bossi, i dorëhequr nga posti i tij që mbante deri pak kohë më parë asokohe, rezultonte i diplomuar në Shqipëri në Universitetin Kristal në atë kohë.

Ngjarja u zbulua nga hetuesit e Prokurorisë së Napolit dhe Milanos, të cilët po merreshin me zbardhjen e skandalit që kishte të bënte me shpërdorimin e fondeve të partisë, ku ishte përfshirë fillimisht financieri i Lega Nord, por më pas edhe vetë kreu i kësaj partie, Bossi. Ata kanë  zbuluar diplomën shqiptare të Renzo Bossit.

Diploma universitare e marrë pranë universitetit privat ‘Kristal’, në Tiranë, në degën administrim biznesi, mbante datën 29 shtator të vitit 2010.

A janë ndjerë studentët e huaj të pasigurt për cilësinë e studimit në Shqipëri?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë