Bota

Biden takohet me gruan dhe vajzën e Navalnit: Më 24 shkurt sanksione të reja Rusisë

Presidenti amerikan, Joe Biden, është takuar në Kaliforni me të venë dhe vajzën e politikanit të ndjerë rus, Aleksei Navalny, tha Shtëpia e Bardhë. Navalny vdiq javën e kaluar në një burg në Arktik.

Biden u takua me Yulia dhe Dasha Navalnaya në San Francisko “për t’iu shprehur ngushëllime për humbjen e tyre të tmerrshme”, tha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate, duke shtuar se Biden ka riafirmuar njoftimin paraprak se më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të vdekjes së Navalnyt.

Gjatë takimit të tij, “presidenti shprehu admirimin e tij për kurajën e jashtëzakonshme të Aleksei Navalnyt dhe për trashëgiminë e tij në luftën kundër korrupsionit dhe për një Rusi të lirë dhe demokratike”, u tha në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë