Politike

Betimi i gjyqtarëve te noteri, PD: Skenar për kapjen e Kushtetueses

Shmangia e presidentit Ilir Meta për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nismë kjo e mazhorancës socialiste, kontestohet nga Partia Demokratike. Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata e ka cilësuar këtë nismë si antikushtetuese. Kjo, sipas tij, realizohet për një qëllim të vetëm, që është kapja e Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës.
“Mbi të gjitha, akti i Edi Ramës është një goditje kundër Kushtetutës dhe shtetit ligjor, pasi në neni 129 i Kushtetutës sanksionon në mënyrë të qartë dhe urdhëruese se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.” Kushtetuta nuk lejon asnjë lloj procedure tjetër betimi, as me noterët, as me postierët e Edi Ramës. Kushtetuta e Shqipërisë e ka dhënë vetë zgjidhjen. Në rast konflikti shkohet në Gjykatën Kushtetuese. Por 4 vjet pas miratimit me konsensus të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, Gjykata akoma nuk është funksionale, sepse Edi Rama e ka zvarritur për të bërë këtë që ka planifikuar të mërkurën- të marrë kontrollin politik edhe të gjykatës më të lartë të vend”, deklaroi Gjata.

Për zyrtarin demokrat kjo nismë e mazhorancës vjen pasi “dështuan me skemën e imponuar me emërime të paligjshme në këtë Gjykatë”, duke iu referuar kështu precedentit me Arta Vorpsin e cila pas njohjes si anëtare nga presidenti Meta, u betua te noteri. “Shërbëtorët e tij në drejtësi nuk do të shkojnë më të bëjnë betimin para noterit, siç ndodhi pak javë më parë, por do ta bëjnë atë me postë, përmes një deklarate e shkrim”, theksoi Gjata.
Në seancën e së mërkurës, Parlamenti pritet t votojë nismën që i lë 10 ditë afat për kryerjen e betimit të anëtarëve të Gjykatës përpara presidentit, në të kundërt i shpallur si gjyqtar mund të bëjë me shkrim betimin.

Arta Vorpsi, u betua te noteri pas refuzimit të presidentit për ta njohur si anëtare të Gjykatës. Gazeta Si, 11 shkurt 2020


"Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit, jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bëre betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në forme të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”, thuhet në amendimin e nismës së socialistëve.
PS propozoi fillimisht që kjo të kishte edhe efekt prapaveprues, duke nënkuptuar që edhe Arta Vorpsi të shpallej automatikisht si anëtare e Gjykatës, por socialistët u tërhoqën në momentet e fundit, duke e argumentuar me faktin se çështja ndodhet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Nisma për t’u votuar në Parlament kërkon një shumicë të cilësuar dhe për këtë PS-së i duhen votat e opozitës së re parlamentare për t’u kaluar me 84 vota. Më pas ligji organik nëse miratohet duhet të kalojë për dekretim nga ana e presidentit Meta, i cili sipas të gjitha gjasave mund të kthehet mbrapsht për rishikim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë