Drejtësia

Betimi i Fredi Belerit kalon në Gjykatën e lartë, Gjykata në Durrës shpall moskompetencën

Gazeta Si - Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës së Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, duke ia kaluar atë për vlerësim Gjykatës së Lartë.

I arrestuar para 4 muajsh, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje, Beleri iu drejtua me kërkesën e radhës Gjykatës së Durrësit, aty ku po mbahet në paraburgim.

Në seancën gjyqësore të kësaj të marte, ishte e pranishme edhe  ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Kostantina Kamitsi, si edhe kreu I PBDNJ, Vangjel Dule.

Pasi Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencën Vangjel Dule akuzoi kryeministrin Rama se po mban në burg Belerin për shkaqe politike.

Sipas tij, po bëhet një lojë juridike me qëllim që Beleri të mos betohet, ndonëse është i zgjedhur nga komuniteti i Himarës.

"Juve e shikoni se topi hidhet në shkallët e stadiumit në vend që të luhet loja juridike me norma dhe rregulla, kompetenca e moskompetencës. Unë do u thosha të gjithëve, t'i hedhim një sy konventës evropiane të të drejtave të njeriut. Një qytetar, i cili prezulmohet i pafajshëm, i zgjedhur nga komuniteti i Himarës për të qenë kreu i bashkisë së tyre, si pengohet për të kryer betimin? S’ka asnjë ligj që e pengon të betohet. Ky është një vendim kryekëput politik. Ai mbahet në burg nga kryeministri Rama", - tha Dule për mediat.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Vetë Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.

Kërkesat e tij të herëpasherëshme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njëjtën kërkesë.

Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën e parë për gjykimin në themel të dosjes në ngarkim të Fredi Belerit, i cili akuzohet se është përfshirë në korrupsion në zgjedhjet e 14 Majit.

Kandidati i zgjedhur për të drejtuar Bashkinë e Himarës do të gjykohet me proces të zakonshëm, sipas zgjedhjes së tij dhe përballë gjykatës do të dalin dhjetëra dëshmitarë dhe provat video dhe audio që SPAK thotë se ka kundër tij. Beleri i ka mohuar akuzat dhe pretendon se nëpërmjet dëshmive do të provojë pafajësinë e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë