Kur Brisida Shehaj i ishte futur shkresave deri edhe në detaje teknike (thuajse të lodhshme për një audiencë të gjerë) për inceneratorin e Fierit, në të njëjtën ditë Luçiano Boçi i PD pyeste shkurt për një tjetër incenerator; atë të Elbasanit.

Shehaj nga Tirana në një tavolinë deng me shkresurina, Boçi para kangjellave të ngrehinës së Elbasanit, me diellin pas, dhe me një podium para enkas për pyetje.
Pesë pyetje publike për inceneratorin e Elbasanit i kapur pas lojërash fjale të kryetarit të bashkisë se inceneratori ishte për remont. “Si u bë për remont pa filluar ende nga puna?, pyeste Boci.

Luçiano Boçi nuk është i vetmi me renditjen e pyetjeve (pa pergjigje) nga PD për inceneratorët.
E filloi Jamarbër Malltezi (që nga PD-ja po prezantohet këto kohë me emrin e shkurtuar Abi) me shtatë pyetje për inceneratorët. E pasoi Ina Zhupa e Belind Këlliçi ndërsa paralelisht Brisida Shehaj e Silva Caka vijojnë me denoncime.
Monika Kryemadhi nxjerr firmën e Erion Veliajt për të kujtuar se edhe atë e ka çuar në SPAK, ndërsa Belind Këlliçi pyet median nëse e ka parë inceneratorin e Tiranës të ekzistojë?.

LSI-ja bën përgjegjës një treshe më të madhe se Zoto-Gugallja-Mertiri, ndërsa PD-ja ka gati deklarata të tipit “aferë Rama, Ahmetaj, Agaçi, Veliaj”
Kur Partia e Lirisë del në konference për shtyp me emra për të denoncuar se inceneratorët “morën fonde edhe të BE përmes mashtrimit”, Partia Demokratike flet per skema guacke ruse në formë pyetjesh ku pak kush mund të kuptojë nëse i gjendet përgjigja
Kur Ilir Meta thotë se asgjë nuk mund ta shpëtojë këtë qeveri nga inceneratorët, Sali Berisha premton për një tjetër skemë më të madhe; “abuzimet me ujësjellësat”.
Kur partia e Ilir Metës po rendit paditë për inceneratorët, PD po shton vetëm pyetjet dhe një podium…

A e ka humbur PD-ja betejën e denoncimit për inceneratorët në raport me Partinë e Lirisë, apo arsyet duhen parë gjetkë?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.