Lajme

Besimtarët kremtojnë lindjen e Krishtit

Besimtarët e krishterë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së Jezu Krishtit. Pas darkës familjare, besimtarët katolikë janë mbledhur për meshën e mesnatës të së hënës, në Katedralen e “Shën Palit”. Ata kanë pritur mes lutjesh mbërritjen e mesnatës që shënon 25-dhjetorin e shenjtë për ta, lindjen e Birit të Zotit. Besimtarët kanë shkëmbyer urime dhe kanë dhënë mesazhet e tyre për më shumë paqe, lumturi dhe harmoni.
Mesha është drejtuar nga Imzot Xhorxh Frendo, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.
“Me mishërimin e birit të vet zhduku errësirat e botës dhe lindjen e tij të lume e shndërriti këtë natë. Ai zhduktë prej jush errësirat e veseve dhe ndriçoftë zemrat tuaja me dritën e virtyteve. Hyji ju mbushtë dhe ju me gëzimin e vet dhe ju bëftë lajmëtarë të ungjillit të vet. Ju pajistë me dhuratën e paqes së vet dhe të vullnetit të mirë. Gëzuar Krishtlindjet!,” u shpreh ai.
Ndërkohë, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, mesha mesha për besimtarët ortodoksë u drejtua nga kryepeshkopi Anastas këtë mëngjes.
Krishtlindja është një festë me orgjinë romake që festohet çdo vit në natën mes datës 24 dhe 25 dhjetor dhe përgjatë tërë datës 25.
Narrativa tradicionale e Krishtlindjeve, që përshkruhet në Testamentin e Ri, thotë se profecia parashikoi lindjen e Jezusit në një stallë në Betlehem, si biri i Jozefit dhe Marias.
Në fakt dita dhe muaji i lindjes së Krishtit nuk dihen, por rreth shekullit të katërt kisha perëndimore zgjodhi datën 25 dhjetor, si një simbolikë për të përkujtuar ardhjen e Zotit në tokë në formën e njeriut, për të shlyer mëkatet e njerëzve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë