Biznes

Besimi i bizneseve në rënie gjatë korrikut

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) pësoi rënie me 2.5 pikë në korrik krahasuar me muajin e kaluar, sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë.

Rënia u përcaktua nga përkeqësimi i besimit në industri, ndërtim, shërbime dhe tregti.

Përkeqësimi më i madh i besimit është në sektorin e shërbimeve duke rënë me 6.1% përqindje në muajin korrik, ndikuar nga performanca më e dobët e treguesve të ecurisë së biznesit dhe kërkesës për shërbime. Bizneset në aktivitetin e shërbimeve vlerësojnë një reduktim të ndjeshëm të punësimit aktual, problem në fakt i cili ka nisur që nga vera e vitit të shkuar kur stafet e shërbimeve e braktisën punën e tyre në pikun e sezonit.

Treguesi i Besimit të Industrisë ra me 3.2 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar kryesisht nga rënia e balancës për prodhimin aktual dhe asaj të kontratave porositëse. Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin dhe çmimet në të ardhmen janë në rritje në muajin korrik dhe ato për punësimin janë në rënie të lehtë.

Treguesi i Besimit në Ndërtim regjistroi rënie me 1.9 pikë përqindje krahasuar me një muaj më parë. Ky zhvillim u ndikua si nga përkeqësimi i balancës për aktivitetin ndërtues, ashtu edhe nga treguesi për kontratat porositëse. Rënie regjistruan pritjet për punësimin, por edhe ato për çmimet, pas rritjes së dukshme të muajit paraardhës.

Treguesi i Besimit në Tregti ra për të dytin muaj me radhë, pas rritjes në muajin maj. Në muajin korrik u shënua një rënie me 0.5 pikë përqindje. Treguesi u ndikua kryesisht nga vlerësimet jo të mira të bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Gjithashtu, pritjet për ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm dhe punësimin janë në dobësim, krahas pritjeve për çmime në rritje.

Treguesi i Besimit Konsumator rezultoi me vlerë thuajse të njëjtë në muajin korrik si edhe një muaj më parë, por duke vijuar të mbetet larg mesatares afatgjatë. Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si dhe situatën për të ardhurat dhe shpenzimet.

Konsumatorët vlerësojnë me rritje ecurinë aktuale të çmimeve, kundrejt pritjeve për ngadalësim të tyre në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë