Menaxhim

BERZH: ‘Mirëqeverisja’ në Shqipëri ka rënë. Tre prioritetet për 2023-shin

Nga Gazeta 'SI' - Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, rendit Shqipërinë si vendin me më pak progres në reformën strukturore, nga vendet e rajonit, sipas 6 treguesve të matur në raportin e Tranzicionit 2022-2023.

Mirëqeverisja është treguesi me rënien më të madhe nga 2021-shi, kur vlerësohej me 4.71 pikë dhe në 2022-shin vlerësohet me 4.62 pikë. Pikëzimin më të lartë ky tregues e kishte në vitin 2016, 5.26 pikë. BERZH  e lidh rritjen apo rënien e pikëve në këtë tregues me nivelin e korrupsionit dhe pastrimin e parave të pista.

“Në Shqipëri ndërkohë, reforma në drejtësi që është një kusht kyç për fillimin procesi i anëtarësimit në BE, ka ecur me ritme të ngadalta. Kërkohen ndryshime të mëtejshme kushtetuese për të zgjatur afatin kohor për verifikimin e gjyqtarëve, ndërsa dorëheqjet në shkallën e lartë të gjyqësorit në vend kanë rezultuar në rritje të numrit të çështjeve gjyqësore”, -thekson raporti.

Shqipëria ka vendin e dytë me pikët më të ulëta në mirëqeverisje, pas Bosnjë Hercegovinës.

Shqipëria ka pikëzimin më të vogël në matësin e “elasticitetit” ku përfshihet siguria energjetike dhe stabiliteti financiar, me 4.46 pikë, rritur me 0.01 nga 2021-shi dhe duke mbetur e fundit në rajon.

Pikët më të larta për Shqipërinë, janë në treguesin e “integrimit”, ku përfshihet përthithja e investimeve të huaja, diversifikimi i portofolit të investimeve me 5.47 pikë, rritur me vetëm 0.02 pikë nga një vit më parë. Njoftimi për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, përmendet se projekt kyç për integrimin dhe kooperimin ekonomik të Shqipërisë me vendet e rajonit. Gjithsesi, në krahasim me to, Shqipëria mbetet e fundit në këtë drejtim.

Në “konkurrencë” e cila mat efektivitetin e tregut të punës, prodhimtarinë dhe shërbimet, Shqipëria ka të njëjtat pikë si një vit më parë, 5.16, dhe përsëri e fundit në rajon, pas Bosnjes.

Përfshirja financiare (e të rinjve, femrave, njerëzve në nevojë) dhe ambiciet e gjelbra (masa për burime të rinovueshme energjie etj) në Shqipëri vlerësohen me 5.08 dhe 4.76 për 2022-shin.

BERZH rikujton tre qëllimet që Shqipëria duhet t’i ketë prioritet për vitin 2023.

Reforma fiskale, që do të ofrojë stabilitet financiar në vend, do të mobilizojë të ardhurat dhe do të krijojë më shumë mundësi për të ndihmuar shtresat në nevojë. Duhet të bëjë kujdes me rreziqet që rrjedhin nga kontratat PPP dhe projektet ku del shteti garanci.

Diversifikimi i energjisë, do të sjellë më shumë siguri në këtë sektor.

Duhet të përmirësohet klima e biznesit, me lehtësim taksash, mbështetje për ndërmarrjet makro, të vogla dhe të mesme. Incentiva për formalizim të aktivitetit dhe dialog publik-privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë