Analize

Berlini në shtetrrethim për konferencën: A do të bëhet Libia një Siri e dytë?

Sot qeveria gjermane ka ftuar aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë në një konferencë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje për Libinë. Në këtë vend përplasen interesa të ndryshme. Ekziston frika e një Sirie të dytë.

Masa sigurie në Berlin para konferencës

Me konferencën për Libinë qeveria gjermane i ka vënë vetes përpara një detyrë të vështirë. Që nga viti i revolucionit në Libi, viti 2011, ku u vra edhe diktatori Muamar al-Gadafi, ky vend afrikano-verior u gjend në një krizë të vazhdueshme, e cila shpejt kaloi në luftë civile. Ndërkohë kjo krizë është ndërkombëtarizuar: Gjithnjë e më shumë aktorë të huaj janë të përzier drejtpërdrejt ose jo. Në Libi përplasen interesa nga më të ndryshme, disa janë aq me peshë, saqë e kanë kthyer Libinë në skenën e një lufte përfaqësuese të vendeve të ndryshme.

Takim i al Sarradsh me Merkelin në vitin 2017

Aktorët libianë
Kryeministri libian, Fajis al-Sarradsh drejton vendin që nga viti 2016 me të ashtuquajturën „Qeveri e Unitetit Kombëtar". Kjo qeveri është e njohur ndërkombëtarisht, edhe nga OKB, por nuk është e legjitimuar nga zgjedhjet. Në luftën për pushtet milicët e al-Sarradshit e larguan qeverinë e mëparshme të ardhur përmes zgjedhjeve, e cila në fund u arratis në Tobruk, në verilindje të vendit. Al-Sarradsh gëzon besimin e shumëve vendeve, madje edhe të OKB-së, pasi ato besojnë, se al-Sarradsh mund të bashkojë vendin. Tani trupat e kryeministrit ndodhen nën presion për shkak të përparimit të trupave të kundërshtarit të tij, gjeneralit, Chalifa Haftar.

Al Sarradsh dhe Erdogan

Chalifa Haftar mbështet qeverinë e larguar në Tobruk. Me trupat e tij ai lufton për njohjen e saj. Haftari gëzon mbështetjen e shumë vendeve arabe, si të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Egjiptit. Ata shohin tek ai një garant të mospërparimit të islamit politik, grupeve xhihadiste po ashtu edhe të Vëllazërisë Myslimane, krahasimisht e moderuar. Haftari mbështetet edhe nga Rusia.
Aktorët ndërkombëtarë
Turqia së fundmi është pozicionuar në anën e Al-Sarradshit. Pas një marrëveshjeje të arritur në nëntor me kryeministrin libian, Turqia e mbështet al-Sarradshin edhe nga ana ushtarake. Nga ana strategjike ajo mbështetet tek trupat islamiste të al-Sarradshit, si Vëllazëria Myslimane. Por ky pakt ka një rëndësi tjetër për Turqinë. Ai është mjet për një qëllim tjetër- në këmbim të mbështetjes, ajo ia ka dalë të arrijë një marrëveshjeje, mbi bazën e së cilës kufijtë detarë të të dy vendeve do të ripërcaktohen.
Marrëveshja ia mundëson Turqisë që disa pjesë të një fushe të madhe me gaz të zbuluar në Detin Mesdhe të kalojnë brenda kufijve detarë të Turqisë. Këto pjesë Turqia dëshiron t'i shfrytëzojë për vete, pasi më parë ajo nuk u pranua në një konsorcium ndërkombëtar të përbërë nga Greqia, Qipro, Izraeli dhe Egjipti.

Haftar me kryeministrin grek, Mitsotakis

Kurse për Rusinë kanë rëndësi katër qëllime: Libia gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ka pasur marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Sovjetik, pas shpërbërjes së tij më pas me Rusinë. Pas vitit 2011 aty fituan më shumë influencë shtetet perëndimore, sidomos ato që ishin pjesë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Rusia kërkon të rifitojë influencën e saj. Rusia si shtete të tjera ka interes që të ndikojë në valët e refugjatëve që vijnë nga vende të ndryshme afrikane e që përfundojnë në Libi. Nga ana tjetër Rusia kërkon të kontrollojë xhihadistët në e përreth Libisë, si në zonën Sahel, pranë Malit.
Bashkimi Europian ka si interes kryesor kontrollimin e valës së refugjatëve. BE kërkon ta ketë këtë kontroll mundësisht që në tokën afrikane, prandaj ajo është e varur nga partnerët në terren. Libia luan një rol të madh si stacioni i fundit para Europës. Për këtë arsye BE orientohej drejt një ujdie me qeverinë e al-Sarradshit, megjithëse nuk është unike. Sepse Franca, që lufton trupat xhihadiste në zonën e Sahelit, kërkon aleancën me gjeneralin Haftar. Italia, që është më e prekura nga lëvizjet e refugjatëve, kërkon me këmbëngulje mbështetjen e qeverisë së al-Sarradshit. Në tërësi BE nuk ka një kurs të qartë për Libinë.
Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite kanë një interes parësor: Ato duan të pengojnë lëvizjet islamiste dhe xhihadiste të kalojnë nga Libia në vendet fqinjë, si Egjipti. Të tre vendet kanë frikë nga trazira me sfond islamist, që kërcënojnë rendin e stabilitetin e të tre vendeve të drejtuara autoritarisht. Që nga rrëzimi i presidentit egjiptian të zgjedhur me votë nga radhët e Vëllazërisë Myslimane në vitin 2013, Egjipti i përndjek anëtarët e kësaj organizate. Qeveria në Kajro ka frikë, se ata mund të rifitojnë terren në Egjipt përmes Libisë. Edhe të dy vendet e tjera të Gjirit, janë kundër një islamizmi revolucionar-social, që ato e konsiderojnë të rrezikshëm.

Vendi në luftë civile

Shtetet e paftuara
Greqia do të kishte marrë pjesë me dëshirë në këtë konferencë. Qeveria në Athinë është e shqetësuar për marrëveshjen e arritur mes Turqisë dhe Libisë për përcaktimin e kufijve detarë. Vërtet kjo ujdi nga pikëpamje ndërkombëtare juridike nuk do të qëndronte, por Turqia përmes manovrave detare ka treguar se është e vendosur të bëjë realitet pretendimet e saj. Këtu futet edhe e drejta e shfrytëzimit të atyre pjesëve të fushave me gaz që bien në territorin e saj përmes ndryshimit të kufijve detarë. Greqia i trembet kësaj marrëveshjeje që për të kufizon lirinë e lëvizjes detare. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis është shprehur i shqetësuar të premten në një telefonatë me kancelaren Merkel për “aksionet destabilizuese të Turqisë”.
Edhe Tunizia, vendi fqinj i Libisë nuk është ftuar në konferencë. Ambasadori tunizian, Ahmed Chafra në Berlin kundrejt Deutsche Welles është shprehur me tone kritike. „Kjo na ka habitur shumë, sepse Tunizia është vendi, që pëson e para dëmet më të mëdha, për çdo gjë që ndodh në Libi." Ai theksoi, se „është e rëndësishme të dihet, se një pjesë e sfidave të mëdha që ka Tunizia në ekonomi dhe siguri kanë të bëjnë me situatën në Libi." /DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë