Nga Gazeta ‘SI’ – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha premtoi 6-fishim të mbështetjes për fermerët gjatë një takimi në Krujë.
Berisha tha se qeveria e tij do të zhdukë skemën aktuale të subvencionimit që ka një tavan për bagëtitë apo masën e tokës, duke thënë se do të subvencionohet ccdo bagëti dhe cdo masë toke e kultivuar.
“Jam i sigurt se ne brenda vitit të parë do kemi një rritje të madhe të prodhimit. Made in Albania do të jetë synimi ynë më kryesor. Fermerët janë në kushte shumë të vështira. Subvencionet, edhe ato që jepte BE, i mori Edi Rama me akrabanë e vet. Po pse them unë Edi Rama? Sepse BE e kapi në flagrancë ministren e Shqipërisë, e cila kishte abuzuar në mënyrë të rëndë me 130 milionë euro të dhëna për fermerët shqiptarë. Në vend që t’ua jepte fermerëve, ua shpërndante oligarkëve, djegësit të Tiranës, ua shpërndante pra rrethit të Tiranës. BE e ndërpreu ndihmën, po bën një hetim, Edi Rama, meqenëse ishte bashkautor në këtë abuzim, Krifcën, e cila u bë famoze se do ngrinte akademinë e çobanëve, e mori këshilltare. Sigurisht, se ajo ka zbatuar urdhrat e tij. Ne do 6-fishojmë subvencionet për çdo fermer. Ne heqim çdo barriere jo ka 100 kokë, jo ka 10 kokë, jo ka kaq hektarë, aq hektarë. Çdo fermer do subvencionohet për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti, për çdo fidan të mbjellë. Do ketë kredi të buta, 80 përqind të interesave për fermerët dhe biznesin e vogël, do e mbulojë shteti. Do ndalohet me ligj importimi i inputeve bujqësore që nuk shiten në të paktën dy vende të BE. Sikundër i ilaçeve që nuk shiten në të paktën dy vende të BE”, shprehet Berisha.
Berisha rikujtoi se në planin e demokratëve parashikohet edhe ulja e TVSH-së për prodhimin me qëllim “kthimin e parave tek qytetarët dhe bizneset”.
“Taksat kanë qenë shumë të larta. Merrni TVSH-në, shqiptarët paguajnë 9 përqind të prodhimit të brendshëm si TVSH, 6 përqind paguajnë gjermanët dhe italianët sepse këta janë vërsulur me taksa mbi çdo gjë. Jo, ne nuk kemi atë filozofi. Ne krahas filozofisë t’ua kthejmë paratë qytetarëve, kemi tjetrën, t’ua lëmë paratë biznesmenëve për të zgjeruar aktivitetin e tyre, për të zgjeruar vendet e punës, për të prodhuar më shumë. Dhe kjo funksionon. Kjo ka funksionuar. Jam i sigurt se ne brenda vitit të parë do kemi një rritje të madhe të prodhimit”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.