Politike

Meta e pret te dera, Berisha: Do e kisha shpërndarë me kohë Parlamentin

Presidenti Ilir Meta preferoi të priste vetë dhe ta përcillte vetë ish-kryeministrin Sali Berisha në ditën e sotme, si për të treguar vlerësimin dhe atë çfarë ka deklaruar se e ka pikë të dobët. Për gjysmë ore ka zgjatur konsulta mes Metës dhe Berishës, ku në dalje, Presidenti u mundua të argumentonte se pse e po bënte këtë gjest. “Sipas traditës se malësorëve, e prita vetë mikun dhe e përcolla deri tek dera”, ishte batuta e Metës ndërsa  e “dorëzoi” Berishën përpara gazetarëve.

Berisha sulmoi ashpër KED-në dhe Adrian Dvorani për shkelje të ligjit, duke theksuar se mazhoranca e la qëllimisht dy vite pa zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

“Cilido që ka dyshimin më të vogël i kujtoj se KLP sot kryesohet nga kunati i ndrikullës së radarëve ( Gent Ibrahimi) që është aty në kundërshtim me Kushtetutën e cila kërkon të jetë magjistrat dhe jo kunat. Është aty vetëm për ti shërbyer si skllav Edi Ramës. Shqiptarë dhe të huaj a mund të na thoni një nga 340 gjykatës ka shkelur në mbledhjet e PS apo PD? Është vetëm mafiozi Ardian Dvorani, në mbledhjet e PS. Është bllokuar reforma dy vite me radhë, është bllokuar integrimi për dy vite me radhë. Ata që shkatërruan Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë e lanë vendin pa shtet ligjor. Ky është Edi Rama. E mbajtën peng për dy vjet me radhë derisa nxorën Dvoranin në krye. Çfarë reforme është kjo kur Kushtetuta përcakton në mënyrë taksative ku çdo vend për anëtar për Gjykatë Kushtetuese do të mbushet duke pasur tre kandidatura. Çfarë bën kapomafia që shndërron KED në një shpellë të vërtetë mafie?”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri ndërkohë ka theksuar se KED ka eliminuar me dhjetëra kandidatura, por i ka skartuar duke mos dhënë asnjë arsye. “Sjell në vend të 12 kandidaturave, 4. Këta i ndan 3 nga 3 duke i përsëritur tre herë në lista. A e dini që janë paraqitur me dhjetëra kandidatë dhe janë zhdukur të gjithë? Me çfarë mekanizmi i skontuan një nga një? Derisa morën firma për skllevër skontuan të gjithë të tjerët. Ndodh vettingu, kam vërejtjet e mia. Por në vetting dalin gjërat, e shkelën me 100 milionëshin e Dvoranit, është përgjegjësi e tyre”, theksoi Berisha.

Ish presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha duke e akuzuar  Ramën për këtë situatë u ndal edhe tek betimi i Arta Vorpsit të cilës iu drejtua “e betuara në Lanë”.

“Betimi nuk është akt Lane .. akt Lane  është për këta që shtetin nuk e kanë shtet dhe nuk kanë asnjë parim.. Betimi është akt solemn që të detyron ty ti shërbesh gjer në pikën e fundit e të qëndrosh besnik Kushtetutës. Në Lanë betim bëjnë vetëm horat e narkoshtetit dhe askush tjetër”, tha ish-kryeministri.

Ai theksoi se presidenti ka vepruar shumë drejt, duke mbrojtur Kushtetutën, si dhe do të vepronte po ashtu edhe ai, pasi katër emra për tre vendet si konkurrentë s’mund të ketë. Ndërsa theksoi se do ta kishte shpërndarë me kohë Parlamentin, që në muajin shtator. "Nuk kam folur. Unë absolutisht do ta kisha shpërndarë. Ky Parlament nuk mund të mblidhej kurrë pa shpallur  gjendje të jashtëzakonshme sepse parlamenti është në thyerje flagrante të Kushtetutës. Ti servirësh shqiptarëve si Parlament ,ndërkohë që Kushtetuta e ka përcaktuar 140 deputetë, unë s’mund të them sikur të kisha qenë se s’më lejohet, por ai Parlament për mua e meritonte mbylljen, gozhdimin e dyerve që në shtatorin e vitit që shkoi”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë