Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama lidhur me sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri, duke deklaruar se transparenca ka pësuar rënie të fortë dhe se kompanitë europiane po përjashtohen nga tenderat publikë.
“Njeriu që në çdo fjali nxjerr një gënjeshtër është bërë barsoletë e vërtetë në Shqipëri, në Evropë dhe më gjerë. Edi Rama doli dje me shifra dhe statistika para, rrahu gjoksin për prokurimet transparente me pretendimin se ato kanë shënuar përmirësime spektakolare duke qenë i paaftë të lexojë shifrat, t’i interpretojë grafiqet, tabelat e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që faktojnë absolutisht të kundërtën”, tha Berisha.
Në konferencë për mediat, Berisha argumentoi se sipas tij të dhënat e publikuara nga organizata europiane Open Tender EU tregojnë se kriteri i transparencës në prokurimet publike në Shqipëri vlerësohet vetëm me 54.5 pikë, pavarësisht se sistemi elektronik i prokurimeve përdoret që nga viti 2010
Sipas tij, kjo tregon se sistemi elektronik nuk po funksionon si duhet dhe se treguesit e transparencës kanë pësuar rënie të ndjeshme ndër vite.
Berisha pretendon se “mafia qeveritare” nuk lejon asnjë kompani nga vendet e Bashkimit Europian të fitojë tendera me vlerë në Shqipëri.
“Treguesi i transparencës ka një rënie katastrofale. Por ka edhe një tregues tjetër. Treguesi i mafies.
Ky tregues, thotë, se mafia qeveritare shqiptare, në ligjin e mafies dhe jo në ligjin shqiptar dhe ndërkombëtar, nuk lejon asnjë kompani evropiane të fitojë qoftë dhe një tender në Shqipëri. Narkoqeveria Rama, është rasti i vetëm, kur në listën e kontraktorëve me tendera me vlerë të konsiderueshme, nuk ka asnjë fitues kompani nga vendet e BE apo kompani prestigjioze.
E ndaluar! Në MSA, Shqipëria është e detyruar të trajtojë si të barabartë investitorët, kompanitë që paraqiten në garat brenda vendit”, tha ai.
Ai tha se Shqipëria është rasti i vetëm ku në listën e kontraktorëve të mëdhenj mungojnë kompanitë prestigjioze europiane, duke e cilësuar këtë situatë si shkelje të rëndë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
Kreu i PD-së nënvizoi se marrëveshja detyron Shqipërinë të trajtojë në mënyrë të barabartë kompanitë dhe investitorët që marrin pjesë në garat publike, ndërsa injorimi i këtij parimi, sipas tij, dëmton konkurrencën dhe tregun shqiptar.
Rikujtoi se Shqipëria ishte vendi i parë që aplikoi sistemin digjital të prokurimeve publike dhe se në vitin 2010 mori çmimin e dytë nga OKB për transparencën në shërbimin civil, pas certifikimit të sistemit nga Banka Botërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje