Nga Gazeta ‘Si’- Kompensime pronash dhe legalizime në Himarë ishte premtimi kryesor i kryedemokratit Sali Berisha për qytetarët e Himarës.
Qeveria e ardhshme garanton paprekshmërinë e pronës, tha Sali Berisha ndërsa hodhi akuza edhe për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
“Premtojmë kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet do t’i kemi përparësi absolute. Sot, në Shqipëri ka ligje që janë një kopje e ligjeve të ’46. Rama ka krijuar një agjenci ku ka vendosur si pronë të gjithë territorin e shtetit shqiptar. Ka vënë aty një zëdhënëse dhe ajo ka autoritetin të bëjë ç’të dojë me pronat e shqiptarëve në Himarë, në Vlorë, në Berat, kudo në Shqipëri”.
Krah Fredi Belerit, ai akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama se e burgosi dhe e ndaloi eurodeputetin grek që të betohej, pasi ky i fundit, sipas tij nuk kishte pranuar që të kandidonte për Partinë Socialiste në Himarë.

Berisha tha po ashtu se Himara ia ka dhënë gjithnjë përgjigjen pushtimeve dhe të njëjtën gjë bëri sipas tij me Edi Ramën, duke i treguar vendin me votën për Fredi Belerin.
“Ta marrë veshë Edi Rama që Himara ia ka dhënë gjithmonë përgjigjen pushtimeve, dhe Himara me Fredi Belerin ia dha edhe Edi Ramës. Donald Trump tha se armik më i madh është armiku i brendshëm, që përdor drejtësinë për të marrë mandatin e të zgjedhurve pasi nuk i mund dot në fushë-betejë. Ju e votuat (Belerin) dhe ai përdori drejtësinë si burracak, për t’i marrë kryetarit tuaj të zgjedhur mandatin, bëri një kurth të vjetër të shpifur si ato që kurdiste ish-sigurimi i shtetit.
Prokurorët dhe gjykatësit e tij nuk e lejuan Belerin të vinte e të bënte betimin dhe shkaku ishte vetëm një, se Beleri nuk pranoi të kandidonte për Ramën, i tha jam i djathtë dhe kam parimet e mia, që nuk përputhen me parimet e tij për t’ju vjedhur tokën ju”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.