Futboll

Berisha nuk pushon asnjë sekondë, tani gjen Milanin në Kupën e Italisë

Pas një serie zhgënjimesh në kampionat, vjen një moment buzëqeshjeje për Etrit Berishën, portierin e Spalit dhe Kombëtares së Shqipërisë. Skuadra e tij ka mundur 5-1 Leçen dhe është kualifikuar për në fazën e 1/8-ve të Kupës së Italisë, ku do të ndeshet me Milanin.

Berisha është një titullar shumë i rëndësishëm për Spalin dhe trajneri nuk e kursen asnjë sekondë, jo vetëm në kampionat, por edhe në Kupën e Italisë. Mendohej se portieri kuqezi mund të pushonte mbrëmjen e së mërkurës në Kupë, por trajneri Leonardo Sempliçi ka menduar ndryshe. Edhe pse situata në kampionat është shumë e komplikuar për Spalin, që duhet të luftojë për mbijetesë, Kupa e Italisë ka marrë vlerësim maksimal.

Spali e zgjidhi ndeshjen me Leçen që në pjesën e parë, kur Igor, Paloski, Murxhia dhe Cionek shënuan katër herë në portën kundërshtare. Goli i pestë i skuadrës së Berishës ka ardhur në pjesën e dytë nga veterani Flokari. Portieri kuqezi pësoi vetëm një gol në këtë ndeshje, pak pas fillimit të pjesës së dytë, me autor Imbula.

Një fitore e rëndësishme kjo për Spalin, që i jep moral edhe për kampionatin, ku duhet të reagojë për t’u larguar nga zona e rënies. Portieri Berisha ka qenë sistematikisht ndër lojtarët më të mirë në fushë për Spalin, pavarësisht se skuadra e tij ka humbur. Shtypi sportiv italian e ka vlerësuar me nota mbi mesataren paraqitjen e portierit kuqezi, i cili në Kupën e Italisë sfidon Milanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë