Politike

Berisha nuk do të jetë i fundit / Ambasadori britanik paralajmëron ‘non grata’ të tjera: Javët e ardhshme, një valë e re sanksionesh

Britania e Madhe do të ndërmarrë sanksione të reja për Shqipërinë javët e ardhshme pas shpalljes “Non Grata” të ish-Kryeministrit Sali Berisha.

"Kur bëhet fjalë për sanksione dhe veprime që duhen marrë për ata që ne gjykojmë se janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion, sërish ne ndjekim një qasje të balancuar. Kjo nuk shënjestron asnjë individ, sikurse e përcaktoi qartë Lord Peach, kur njoftoi atëherë valën e parë të sanksioneve, në korrik të vitit të shkuar, ata ishin kundër një sërë individësh.  Sikurse e dini, kur bëhet fjalë për kufizime të hyrjes ne MB, si në këtë rast, ne nuk i deklarojmë emrat, pra jo gjithkush e ka bërë publike përfshirjen e tyre në këtë valë sanksionesh. Por, sikurse edhe e thashë më parë, do të ketë valë të tjera sanksionesh kundër atyre të përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion", tha ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, në një intervistë në emisionin “Real Story”.

Qëllimi i sanksioneve, sipas tij, nuk janë individët, por llogaridhënia.

"Askush nuk qëndron mbi ligjin. Duhet të zbatohet për të gjithë në mënyrë të balancuar, jo e përqendruar vetëm te një parti politike apo grup. Këto janë vendime që janë ndërmarrë nga Ministri i Punëve të Jashtme, nga Ministri i Punëve të Brendshme, pra në krye të Qeverisë, bazuar në informacionet dhe provat që ne kemi. Çështja këtu është se kjo mund të zbatohet për të gjitha grupet politike, mund të zbatohet për biznesmenët, për kriminelët dhe individë të tjerë, dhe nuk përqendrohet te një grup individësh ose partish politike", tha Alastair King-Smith.

Ambasadori britanik tha se ekziston mundësia që të jenë sanksione publike, pra jo vetëm ndalime të hyrjes në Britani, ku emrat nuk bëhen publikë. Ai shtoi se nëse bëhet nën kategorinë e Sanksioneve Botërore Kundër Korrupsionit, këto emra do të bëhen publikë dhe gjithashtu do të ketë një ndalim udhëtimi, ndalim për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar dhe konfiskim mbi çdo aset që kanë në Mbretërinë e Bashkuar.

Lidhur me zgjedhjet lokale të 14 majit, diplomati britanik tha se procesi u administrua mirë ndërsa duhet të priten rezultatet e raportit përfundimtar të ODHIR-it.

Pa i përmendur emrin por duke e lënë të kuptohet se i referohet arrestimit të Vangjush Dakos ambasadori britanik i kërkoi drejtësisë që të bëjë punën pa bërë dallime.

“Ju nuk prisni që unë t’i referohem rasteve individuale që po i nënshtrohen një procesi gjyqësor, por parimi është shumë i qartë; duhet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë dhe duhet të përmirësohet llogaridhënia dhe duhet të vendoset një drejtësi tek e cila njerëzit kanë besim.

Ne i bëjmë thirrje të fortë të gjitha institucioneve të drejtësisë të luajnë rolin e tyre, të përmbushin standardet që priten prej tyre dhe që janë përcaktuar në ligj dhe të luftojnë në mënyrë aktive korrupsionin në mënyrë që t’i japim vërtet fund këtyre dinamikave të vështira me të cilat po përballet Shqipëria dhe vendet e tjera.

Pra, ne u bëjmë thirrje këtyre institucioneve të përmbushin mandatet e tyre dhe ta bëjnë këtë pa bërë dallime mes individëve dhe të zbatojnë të njëjtat standarde dhe rregulla për të gjithë. Ne si Mbretëri e Bashkuar do të vazhdojmë të mbështesim këtë, do të mbështesim institucionet e pavarura; ne duam t’i shikojmë ato të përparojnë dhe i nxisim ato të jenë kenë besim dhe të marrin të gjitha veprimet e nevojshme. Është e rëndësishme që shteti i së drejtës të zbatohet për të gjithë dhe që askush të mos jetë mbi shtetin e së drejtës”, tha King-Smith.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë