Politike

Berisha nga Berati: Javën tjetër caktoj datën e Kuvendit Kombëtar, do apo s’do Basha

Ish-kryeministri Sali Berisha do të bëjë të ditur javën e ardhshme datën kur do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, me apo pa miratimin e Bashës.

Këtë pohim Berisha e bëri nga Berati, ku kishte “Foltoren” e radhës: “Javën që vjen do të shpallim datën e mbledhjes së Kuvendit të PD-së. Do të mblidhemi me të drejtën tonë për t’i dhënë PD-së normat më demokratike që meriton”, - u shpreh Berisha.

Ai ka saktësuar se statuti i Partisë Demokratike përcakton në një nga pikat e tij se Kuvendi i jashtëzakonshëm mblidhet kur e thërret një e katërta e delegatëve. Nga Berati Berisha bëri të ditur gjithashtu se ka mbledhur firmat e afër 80% të delegatëve të Kuvendit.

Sipas Berishës, Kuvendi do të përcaktojë edhe nëse kryetari i partisë duhet apo jo të jetë kryeministër i vendit, në rastet kur fiton zgjedhjet. Në “Foltoren” e Beratit Berisha shoqërohej vetëm nga Klevis Balliu dhe Astrit Veliaj, asnjë nga deputetët e zgjedhur më 25 prill nuk ishte i pranishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë