Politike

Berisha: Në Elbasan 70% e operatorëve shkelën ligjin, Rusmali ka urrejtje se e kam shkarkuar për korrupsion  

Sali Berisha tha në konferencën për shtyp se 70 përqind e operatorëve kanë shkelur ligjin në votimin për Elbasanin

“...Zgjedhjet në Bashkinë e Elbasanit janë një nga farsat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve. Videot dëshmojnë se në mbi 70 përqind të qendrave të votimit, të ashtuquajturit operatorë, shkelën ligjin nga mëngjesi deri në darkë...”, tha ai.

Në këto kushte Berisha kundërshtoi ecurinë e ndjekur nga KAS për këtë proces, duke akuzuar sërish Ilir Rusmalin, ish-bashkëpunëtorin e tij, për të cilin për herë të parë tha se e kishte shkarkuar nga detyra e zv-kryeministrit ndryshe nga sa dihej deri me tash se kishte dhënë dorëheqjen.

“Në një seancë që ka vazhduar gjer në 6 të pasdites, provat filmike të pakundërshtueshme janë paraqitur përpara KAS-it, i cili siç del, kryesohet nga një kriminel i vërtetë elektoral.

Pra, një proces antiligjor i faktuar me dokumente zyrtare, të marrë nga kamerat e qendrave të votimit, faktohet se është zhvilluar në shkelje flagrante të ligjit dhe të fshehtësisë së votës, injorohet nga një person që ka urrejtje në çdo qelizë të trupit të tij sepse është shkarkuar nga zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë për shkak të korrupsionit. Ai nuk meriton, ai e ka vendin aty ku duhet të jetë çdo kriminel elektoral. Ju i keni ndjekur ndoshta dje, nga salla e KAS-it, në çdo qendër votimi, gjatë gjithë ditës, operatorët shkelnin ligjin elektoral, kontrollonin votën e zgjedhësve. Votimi në Elbasan ka kulmuar kur janë lejuar të votojnë edhe fëmijë në moshën 10-vjeçare dhe kjo është e filmuar. Pra, në qendrën e dytë më të madhe të vendit, de facto nuk është votuar...”, tha Berisha


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë