Politike

Berisha e Meta në protestë si qytetarë: Rama të largohet

Sali Berisha dhe Ilir Meta thanë se iu bashkuan protestës së thirrur këtë të enjte për vrasjen e 7-vjeçares në Himarë si qytetarë, por mesazhet që përcollën para mediave ishin si politikanë.

“Po të isha në vendin e Ramës, nëse Çuçi nuk do të kishte ikur për 3 minuta, në të 4 do e kisha shkarkuar, atë dhe ministren e Turizmit. Këta përpiqen që me zinxhirin e policisë së Vlorës, të kapërcejnë një nga ngjarjet më tragjike që ka ndodhur në këtë vend. E vështirë që të reflektojë qeveria, por i ftoj qytetarët që të vazhdojnë protestën dhe t’i imponojnë qeverisë të reflektojë”, deklaroi Berisha.

Vetëm dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, sipas Berishës nuk mjafton.

“Një hap në drejtimin e duhur është ajo. Sepse është ministri përgjegjës për të. Keni dhe rastet e tjera. Ai sillet, si të thuash. A nuk ndodhi në maj, Ilvi Meta që u var në qeli, e morën në komisariat se vodhi një derë. Ky që merr 400 milionë euro, nuk i ndodh asgjë. Çuçi duhet të jepte dorëheqjen. Rasti i të riut në Durrës, që nuk kishte asnjë roje bregdetare. Politika është dhe do të jetë gjithmonë në qendër të problemit”, u shpreh ai.

Ilir Meta kërkoi përshkallëzimin e protestës dhe dorëheqjen e Edi Ramës.

“Qytetaret duhet të shumëfishojnë vrullin, intensitetin e protestës. Të vrasin frikën dhe të triumfojë liria. Familjet shqiptare janë në gjendjen më të rëndë nga ana ekonomike, nga problemet sociale, sa shumë të rinj të prekur nga fenomeni i drogës. Të rrisim përgjegjësinë dhe të mblidhemi të gjithë, që kjo situatë papërgjegjshmërie të marrë fund dhe të mbrojmë fëmijët e shqiptareve dhe atdheun nga një klikë e papërgjegjshme

Mjafton një dorëheqje e Edi Ramës dhe mendoj se çështja është më e thjeshtë, më mirë të kemi një dorëheqje se të kemi tre. Sepse edhe ata të tjerët, aty brenda janë.Këtu kemi të bëjmë me një bandë, është e qartë. Kjo është ngjarje e përsëritur. Mjafton rasti i të riut Rasha, se si u vra, si mund të vritet një të ri, që shkon e blen cigare. Se si fabrikuan lajmet se ishte me armë”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë