Njerez

Benneti, me flamurin kosovar dhe atë holandez për në Mars

“Është një konkurs ku mund të marrësh pjesë vetëm një herë dhe është fat i madh të jesh një nga fituesit e shpallur nga Nasa”, tregon Benneti Nura, 19 vjeçari me origjinë nga Kosova, i cili do të jetë shqiptari i parë që ka "prerë" biletën për në mars.

Gjithsesi, përveç fatit, Benneti është një djalë që ka punuar shumë për të qenë i përzgjedhuri i NASA pasi pasioni i tij lidhet me shkencën, universin, teknologjinë...

Ai tregon për Gazetasi.al se gjithëçka e ka të lidhur me shkencën. Studion për shkenca kompjuterike në Universitetin e teknologjisë në Eindhoven, Holandë ku dhe ka lindur.

“Dëshira ka qenë gjithmonë që të përfshihem në projekte të mëdha, tani është realitet”, thotë Benneti, i lumtur, që duket se jeta e tij do të ndryshojë shumë.

Si u bë pjesë e këtij projekti të NASA?

Benneti tregon se i ka ndjekur zhvillimet e Nasa-s dhe në momentin që Agjencia Amerikane e Hapësirës publikoi një konkurs në website-n e saj, ai u regjistrua, falas, me informacionet dhe kualitetet e tij.

Pas dy muajsh, të mbushura me pritje për të realizuar ëndrrën dhe pasiguri në të pasurit një shans unik, ai u lajmërua se është fitues, me një biletë nga Nasa. Ai u përzgjodh mes 12 milionë njerezvë nga e gjithë bota. fituesit janë 100 mijë dhe Benneti shqiptari i vetëm.

“Ishte më shumë se lumturi, jo vetëm për mua, por edhe për familjarët e mi”.

I pyetur sa ka ndryshuar jeta e tij, Benneti qesh dhe mundohet të jetë modest, por sa modest mund të jesh kur ke në dorë biletën që do të të bëjë banor të planetit Mars?

Bileta që Nasa i ka dërguar Bennet Nurës

Ai tregon se për 3 ditë, jeta i ka ndryshuar edhe pse për të “është thjesht një proces për të arritur qëllimet”. Njerëzit që interesohen për historinë e tij janë të shumtë.

Tani për tani po planifikohet që shkencëtarët e parë të nisen për në Mars në 2026. Ata do të kenë ‘detyrë’ të përgatisin kushtet për jetesën në Mars, një proces që mund të zgjasë 1-2 vite.

“Pas kësaj faze, shpresoj të vijë koha dhe për mua të shijoj jetën në Mars”, thotë Benneti.

Në këtë kohë, Benneti do të mbarojë studimet dhe në të njëjtën kohë do të informohet për çdo studim të bërë nga Nasa si dhe të bëjë përgatitje fizike dhe mendore.

Këto janë të rëndësishme jo vetëm për jetën në Mars, por edhe për rrugëtimin, që zgjat 7-8 muaj, një kohë që Bennetin nuk e tremb aspak sepse beson se “duke parë zhvillimet e shpejta shkencore, ndoshta kjo kohë do të shkurtohet”.

Dashuria për shkencën e ka bërë Bennetin të tejkalojë frikën e periudhës që do ti duhet të kalojë në Mars, duke menduar se akoma nuk dihet sa kohë do të qëndrojë atje kur të ikë, por është një risk që e ka marrë përsipër.

Cila do të jetë fjala e parë që do të thotë kur të shkelë në Mars?

“Mu realizua ëndrra, ndërkohë që patjetër do të kem me vete flamurin Kosovar dhe atë Holandez”, përfundon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë