Futboll

Belingham zyrtarisht te Reali, operacion 100 milionë euro për madrilenët

Gazeta Si - Xhud Belingham është zyrtarisht një lojtar i Real Madridit. Orët e fundit ‘Blancos’ kanë arritur akordin me Borusia Dortmund dhe klubi gjerman, me dy rreshta në faqen e vet zyrtare, njoftoi shitjen e mesfushorit të datëlindjes 2003.

Kostoja e këtij operacioni për madrilenët është 100 milionë euro pjesa fikse, plus 20 milionë të tjera nga bonuset. Mesfushori anglez ishte një nga objektivat kryesorë të madrilenëve, duke qenë se lojtarë si Modriç dhe Kros tashmë janë në metrat e fundit të karrierës.

Xhud Belingham. Gazeta Si, 8 qershor 2023

Belingham mund të konsiderohet pa frikë një bjerje e madhe. Ai është një nga mesfushorët më të talentuar aktualisht në botë, titullar edhe me kombëtaren angleze. Reali rinovon mesfushën dhe tashmë synon të bëjë të njëjtën gjë edhe me sulmin, ku janë larguar Benzema, Asensio, Hazard dhe Mariano Diaz.

Trajneri Ançeloti, pasi ka marrë miratimin e presidentit Perez për të vazhduar në kryes të skuadrës, ka pohuar pak ditë më parë se do të bëhen disa afrime të rëndësishme për sezonin e ri. I pari sapo është zyrtarizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë