Futboll

Belingham ‘Mister 103-milionëshi’ në Madrid, goditja e fundit në klubin e ‘shekullorëve’

Gazeta Si – Mesfushori 19-vjeçar anglez, i ardhur nga Borusia Dortmund, hyn në listën e më të paguarve të të gjitha kohërave. Projekti madrilen nuk ndalet këtu, radhën e ka sulmuesi francez Kilian Mbape.

Në ‘Shtëpinë e Bardhë’ është dita e Xhud Belingham, dita e parë e një tranzicioni, etapat e radhës të të cilit janë inaugurimi i ‘Santiago Bernabeut’ (në fund të vitit) dhe afrimi i mundshëm i Kilian Mbape verën e ardhshme. Real Madrid po ndryshon.

Ka filluar të ndryshojë që vitin e kaluar në fakt, kur pas 4 Champions të fituar në 8 vjet ‘prishi’ mesfushën mitike Modriç-Kasemiro-Kros, duke shitur brazilianin te Mançester Jinajtid për 70 milionë euro. E zëvendësoi me Tçouamenin, 22-vjeçarin e marrë nga Monako për 80 milionë euro.

Tani është momenti i Xhud Belingham, anglezi i datëlindjes 2003, për të cilin u paguan 103 milionë euro, 6 vjet kontratë dhe blerja e dytë më e shtrenjë e Real Madrid, pas asaj të Eden Hazard, i ardhur nga Çelsi për 160 milionë euro.

Modriç dhe Kros bashkë i kalojnë 70 vjet dhe në ‘Bernabeu’ shpresojnë që me Belingham, Kamavinga dhe Tçouameni të hapet një tjetër cikël fitues. Dy francezët dhe anglezi së bashku bëjnë 63 vjet. Kros do të qëndrojë në Madrid të paktën edhe një vit, Modriç donte të bënte të njëtën gjë, por tani po sheh edhe ofertat e tjera.

Ashtu si Karim Benzema, edhe futbollisti kroat ka fituar të drejtën të vendosë vetë për të ardhmen. Tani të shohim, nëse do të qëndrojë edhe një vit në futbollin e madh, apo do të preferojë milionat nga Arabia.

Nejmar kur kaloi te PSG per 222 milione euro. Gazeta Si, 15 qershor 2023

Belingham hyn në klubin e goditjeve 100-she. Kuptohet, 222 milionë eurot që pagoi PSG në 2017-ën për Nejmarin te Barcelona, janë larg. Klubi francez mban edhe vendin e dytë në këtë klasifikim me blerjen e Mbape nga Monako për 180 milionë euro. Pastaj vjen Hazard, që Reali thotë se e bleu për 115 milionë euro, por është zbuluar se belgu ka kushtuar 160 milionë euro.

Barcelona nuk i shpenzoi mirë paratë e Nejmarit, mori Osman Dembele për 140 milionë dhe Koutinjon për 135. Pastaj janë 127 milionë eurot që Atletiko Madrid pagoi te Benfika për Zhoao Feliks. Benfika ka bërë edhe një tjetër goditje, duke shitur kampionin e botës Enco Fernandez te Çelsi për 121 milionë. Më pas vjen Antuan Griezman, që kushtoi 120 milionë për kalimin nga Atletiko te Barcelona në 2019-ën.

Xhek Grilish kaloi nga Aston Vila te Mançester Siti për 118 milionë, Kristiano Ronaldo nga Madridi te Juventusi për 115 milionë, e njëjta shifër që pagoi Çelsi tek Interi për Romelu Lukakun. Pol Pogba u transferua nga Juventusi te Mançester Junajtid për 105 milionë.

Për të mbërritur te Gareth Bejl, që në 2013-ën kaloi nga Totenhemi te Real Madrid, duke u bërë lojtari i parë që prekte shifrën e 100 milionëve. Në listë ka nga të gjitha, goditje të mëdha dhe zhgënjime. Të shohim çfarë rezervon e ardhmja për Belingham, deri tani me një karrierë të jashtëzakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë