Futboll

Belgjika zgjedh një 37-vjeçar si trajner, zyrtarizon Domeniko Tedeskon

Gazeta Si – Italo-gjermani Domeniko Tedesko, 37 vjeç, është emëruar trajner i Belgjikës. Lajmi është bërë me dije mëngjesin e sotëm nga Federata Belge e Futbollit me anë të një komunikate, ku shkruan: "Paç fat, trajner!"

Tedesko vjen pas eksperiencës me Lajpcigun në Gjermani dhe zëvendëson spanjollin Roberto Martinez te Belgjika. ‘Djajtë e kuq’ zhgënjyen në Botërorin e fundit, duke u eliminuar që në fazën e grupeve, ndaj dhe ndryshimi i trajnerit ishte i pashmangshëm.

Tedesko, me origjinë nga Kalabria, është rritur nga ana futbollistike në Gjermani. Ai ka drejtuar fillimisht të rinjtë e Shtutgartit dhe Hofenheimit. Ka pasur edhe një eksperiencë në Rusi, ku ka drejtuar Spartakun e Moskës. Por më shumë ka rënë në sy kur drejtonte Shalken, pasi zuri vendin e dytë që në sezonin e parë, pas Bajernit të Mynihut.

Pastaj është ulur në stolin e Lajpcigut, me të cilin arriti të fitonte Kupën e Gjermanisë. U shkarkua në shtator dhe tani merr drejtimin e një kombëtareje me emër në një moshë shumë të re, vetëm 37 vjeç. Ka një detyrë të vështirë, sepse duhet të ringrejë ekipin për Europianin 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë