Analize

Belgjika dhe Holanda qendrat kryesore të kokainës. Pse mafia shqiptare luan rol kyç?

Belgjika dhe Holanda janë kthyer tanimë në qendrat kryesore të trafikut të kokainës në Europë. Sipas një raporti të fundit të Europol dy vendet e Europës qëndrore janë kthyer në pikat kryesore të futjes së lëndëve narkotike nëpërmjet porteve si Roterdami apo Antwerpi dhe bandat shqiptarë të krimit po luajnë një rol të rëndësishëm në kontrollin e trafikimit të drogës bashkë me Ndranghetën.  

Europol thotë se bandat e drogës kanë ndryshuar strategjinë, duke hequr "njeriun e mesëm" dhe duke marrë kokainën direkt nga burimi, nga Kolumbia. Ndër grupet më të lidhura me mafien kolumbiane mësohet të jenë bandat shqiptare.

Në një raport prej 27 faqesh, të publikuar bashkë me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogë, Europol tha se bandat kriminale përdorin qytetet porte të Roterdamit, Hamburgut dhe veçanërisht Antverpin për të transportuar drogën në Holandë, nga ku shpërndahet pastaj në të gjithë Europën.

Kjo ka bërë që Spanja të kapërcehet si rrugë kryesore e kontrabandës, thotë Europoli. Sipas saj, vetëm vitin e kaluar, në Antwerp të Belgjikës u kapën rreth 65.6 tonë kokainë. Në shkurt, Gjermania dhe Belgjika kapën bashkërisht 23 tonë, një sasi kjo që u cilësua si rekord.

Në raport thuhet se tregu i kokainës në Europë u rrit kryesisht me furnizimet e shtuara nga Kolumbia, ku një marrëveshje e paqes me grupin gueril FARC, e arritur në vitin 2016, ka hapur tregun për konkurrencë. Raporti thekson se bandat evropiane të drogës shpesh operojnë përgjatë vijave familjare, etnike ose gjuhësore, “duke përfshirë bandat marokene dhe shqiptare”, si dhe “grupin mafioz Ndrangheta.

Roli  i mafies shqiptare

Në raportin e sa të fundit, Drejtoria italiane e Antimafias theksonte se krimi i organizuar shqiptar ka konsoliduar kontaktet e saj me Amerikën Latine, duke siguruar jo vetëm transport të lëndëve narkotike për grupet e saj shpërndarëse, por edhe për mafian italiane, si Ndangheta dhe Camorra.

Bandat shqiptare filluan të negociojnë drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane që kontrollojnë prodhimin e kokainës. Dërgesa të mëdha u organizuan direkt nga Amerika e Jugut. Por cilat janë rrugët që ndjekin shqiptarët për trafikimin e drogës dhe pse kanë rritur me shifra të frikshme prezencën në portet kryesore të Europës?

Sipas një artikulli të disa muajve më parë nga “The Guardian”, dy janë portet më të mëdha që përdoren nga shqiptarët, Rotterdam në Holandë dhe Antwerp në Belgjikë. Në porte janë 240 mijë të punësuar, një grup prej të cilëve punojnë për ‘Ndrangheta-n dhe mafien shqiptare. Këta të fundit konsiderohen si të sofistikuar, profesionalë dhe bëjnë atë që premtojnë, në bazë të kodit  të “besës”.

Ata ndjekin rrugët e zakonshme të trafikut, nëpër vende si Spanja, Italia, Belgjika dhe Holanda, falë rrugëve detare që të lidhin me të gjithë kontinentin. Mafia shqiptare është me aktive në Britani dhe Belgjike, duke importuar kokainë kryesisht nga Ekuadori, përmes porteve të Roterdamit, Antwerpit, Hamburgut dhe Bremenit.

Porti i Antwerpit

Dikur ky port ishte i famshëm për tregtinë e diamantit, por tani Antwerp është kryeqyteti i kokainës në Europë, i kontrolluar kryesisht nga mafia shqiptare.

Një hetimi mediave britanike zbuloi një vit më parë se kontrabandistët e sillnin drogën nga Ballkani dhe Turqia për të çuar drejt Britanisë. Kokaina e pastër vjen nga Kolumbia, por transportohet nga bandat shqiptare dhe italiane.

Sipas “Mirror” ata fshehin disa tonë drogë në artikujt si pllakat e mermerit dhe trarët prej druri dhe anëtarët e mafias shqiptare me bazë në Antwerp pastaj e dërgojnë atë në Britani të Madhe. Një zëdhënës i portit tregon për mediat britanike se kartelet shqiptare kanë zbuluar se porti i Antwerp mund të përdoret si një derë hyrëse për në Britaninë e Madhe. “Po bëjmë çmos dhe kemi kapur një sërë ngarkesash, por nuk kemi burime për të ndaluar gjithçka”, thotë ai.

Mediat britanike shkruajnë se Antwerp kontrollohet në masë të madhe nga shqiptarët, të cilët trafikojnë drogën nga Belgjika në Southend të Anglisë , për ta shpërndarë më pas në mbarë Britaninë.

Amsterdami dhe Rotterdami

Autoritetet holandeze kanë ngritur prej kohësh alarmin se mafia shqiptare po përbën një kërcënim gjithnjë e më të madh për Holandën, pasi luan një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës së Amsterdamit dhe Rotterdamit. Mediat holandeze shkruajnë se shqiptarët janë të njohur për ofrimin e kokainës së cilësisë së lartë kundrejt çmimeve të mira. Ata kanë arritur të kontrollojnë një pjesë të mirë të tregut europian, pasi janë të dhunshëm ndaj çdo konkurrenti tjetër. Sipas autoriteteve holandeze, bandat shqiptare në Holandë trafikojnë kokainë, kryesisht nga Ekuadori, përmes porteve të Roterdamit, Antwerpit, Hamburgut dhe Bremenit, duke e shpërndarë atë nëpër Europën Perëndimore dhe Britaninë e Madhe.

Burimet: "The Guardian", "Euractiv", "Europol"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë