Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila la nën masën “arrest me burg”, kryebashkiakun e sapozgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzohet për shit-blerje votash.
Sipas ministrisë greke, zgjatja e paraburgimit për Belerin, ofendon sensin e drejtësisë të publikut dhe perceptimin evropian të shtetit të së drejtës
“Zgjatja e paraburgimit të Fredi Belerit, tashmë i zgjedhur Kryetar i Bashkisë Himarë, godet sensin e drejtësisë të publikut dhe perceptimin evropian të shtetit të së drejtës” thuhet në një reagim të shkurtër.
Kjo deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, vjen pas një takimi që ministrja e Jashtme e Shqipërisë zhvilloi në Bruksel me homologun e saj grek Niko Dendias.
Në reagimin e saj Xhaçka tha se i bëri të qartë ministrit të Jashtëm grek se “Beleri” është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri Greqi. Sipas saj, Fredi Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.