Politike

Begaj dekreton ligjin që lejon ndërtimin e hoteleve në zonat e mbrojtura: Pretendimet e organizatave nuk qëndrojnë

Nga Gazeta 'SI'- Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin që i hap rrugë investimeve për ndërtimin e resorteve turistike në zonat e mbrojtura.

Sipas arsyetimit të Begajt, pretendimet e Shoqërisë Civile se ligji kërcënon zonat e mbrojtura, nuk janë të sakta dhe nuk përbëjën arsye për t’u mos u dekretuar ligji.

 “Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji risk potencial për mbrojtjen e mjedisit, i cili mund të shkaktohet nga zbatimi i gabuar i dispozitave të tij. Ekspertët kushtetues të thirrur në konsultë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës nuk e shohin këtë pretendim si çështje që i përket procedurës për shqyrtimin e  kushtetutshmërisë. Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës, si nga organet eprore/mbikëqyrëse, ashtu edhe nga organizatat mjedisore. Shqyrtimi i kushtetutshmërisë që bën Institucioni i Presidentit të Republikës është shqyrtim abstrakt dhe i pa lidhur me skenarë të supozuar veprimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Lajmi për dekretimin e këtij ligji vjen pak ditë pas njoftimit se dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, do të ndërtojë rezorte turistike në ishullin e Sazanit dhe Zvërnec, të dyja territore brenda zonave të mbrojtura.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama ironizoi kritikët duke thënë se me shpalljen e investimit të Kushner, "me rregull 3-shi u gjet arsyeja e ligjit për zonat e mbrojtura".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë