Muzike

Bebe Rexha vjen me albumin e ri dhe flet për prejardhjen shqiptare: Gjithçka ka të bëjë me burrat, më pas vijnë gratë

“Season”, bashkëpunim me Dolly Parton ishte kënga e parë e krijuar për albumin e ri të Bebe Rexhës, “Bebe”, i cili publikohet të premten.

“Unë u frymëzova vërtet nga Fleetwood Mac, dhe ata kanë një këngë të quajtur ‘Landslide’ dhe doja të shkruaja versionin tim”, tha Rexha.

“Bebe” është albumi i tretë nga këngëtarja shqiptaro-amerikane.

Me pjesën më të madhe të produksionit të trajtuar nga Ido Zmishlany (Shawn Mendes, Camila Cabello , Demi Lovato) së bashku me kontributet nga Joe Janiak (Britney Spears, Ellie Goulding) dhe Jussifer (Kelly Clarkson, Kim Petras), Rexha kanalizoi energjinë dhe muzikalitetin e viteve ’70 për projektin e saj.

Rexha nuk dinte shumë për epokën derisa ajo dhe Zmishlany dëgjuan artistë si Parton, Donna Summer, Fleeteood Mac, Stevie Nicks dhe më shumë.

“Si mund t’i marrim të gjithë tingujt tanë të preferuar të viteve ’70 dhe t’i vendosim në një projekt?”, tha 33-vjeçarja.

“Unë thjesht e dua lirinë kur bëhet fjalë për muzikën… Dhe më pëlqen estetika, më pëlqen moda e saj – gjithçka që përfshin”.

Bashkëpunimi i Parton-it është i jashtëzakonshëm në albumin me 12 këngë, pasi pjesa më e madhe e tij përqendrohet rreth muzikës disco, e udhëhequr nga “Heart Wants What It Wants”.

Rexha tha se ajo dëshironte të krijonte muzikë të ndjeshme pasi bota hyri në një fazë pandemie post-covid.

“Doja të bëja diçka pak më ndryshe. Ka këngë të menduara dhe më të ngadalta, por shumica e këngëve padyshim të bëjnë ndihesh mirë”, shpjegoi Rexha, e cila gjithashtu pati rolin e producentes ekzekutive.

Rexha gjithashtu siguroi ‘ambasadorin’ kryesor të muzikës, Snoop Dogg, me këngën “Satellite”.

Ajo tregoi se partneriteti u zhvillua pasi i dërgoi legjendës së repit një mesazh në Instagram.

“Unë jam gjithmonë duke rrëshqitur në DM-të e të famshmeve të tjerë, vazhdimisht”, tha ajo.

“Mendoj se ndonjëherë mund të krijoni miqësi të tilla dhe mendoj se nuk është kurrë e dëmshme të afroheni”.

Këngë të tjera të shquara përfshijnë “Visions (Don’t Go)” dhe këngën e publikuar më parë me David Guetta, “I’m Good (Blue)”.

Përpos albumit të ri këngëtarja ka folur edhe mbi jetën e saj, si edhe prejardhjen, duke treguar historinë e zhvendosjes së familjes nga Maqedonia e Veriut në SHBA.

“Ajo thotë se mentaliteti i saj ‘gjithmonë nxitues’ vjen nga rritja në një familje emigrantësh. Të dy prindërit e saj janë shqiptarë, me babanë e saj që emigroi në SHBA nga Maqedonia e Veriut në moshën 21-vjeçare në fund të viteve ‘80, para Luftërave Jugosllave. Nëna e saj ka lindur në SHBA, por edhe gjyshërit e Rexha-s nga nëna kanë emigruar nga Europa në kërkim të një jete më të mirë”.

E pyetur për familjen e saj, Bebe ka rrëfyer:

“Ata janë më paranojakë, shumë të stresuar. Ndjehem sikur i kam marrë disa nga ato cilësi nga familja ime, por duhet të mësosh se si të tërhiqesh nga kjo. Askush nuk flet kurrë për traumën ndër breza”.

Rexha e kanalizoi kulturën e saj në një mënyrë tjetër në një nga këngët e albumit “Bebe”, e cila titullohet “I Am”, të cilën e kompozoi pasi Gjykata e Lartë mori vendim për ndalimin e abortit në Amerikë. Ky vendim e bëri atë të mendojë për rrënjët e saj dhe mizogjeninë e rrënjosur që ajo sheh në kulturën shqiptare.

“Mos më keqkuptoni, unë e dua kulturën dhe prejardhjen time dhe e urrej ta them këtë, por ndonjëherë më duket sikur gratë trajtohen si qytetare të dorës së dytë në vendin tim. Burrat hanë të parët. Burrat flasin. Gjithçka ka të bëjë me burrat dhe më pas vijnë gratë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë