Politike

BE: Të zbatohet reforma zgjedhore. 30 qershori? I qetë

Bashkimi Europian kërkon nga klasa politike shqiptare që të reflektojë në legjislacionin zgjedhor dhe më pas zbatojë të gjitha rekomandimet e paraqitura pas zgjedhjeve të 30 qershorit nga misionet vëzhguese të OSBE/ODIHR.

“BE mbështet reformën zgjedhore në Shqipëri dhe kujton raportin e 5 shtatorit të 2019 të OSBE/ODIHR. BE kërkon nga autoritetet shqiptare që të zbatojnë rekomandimet e këtij raporti”, thuhet në një përgjigje që Komisioni Europian i ka kthyer eurodeputetes franceze, Dominique Bilde.

Bilde, që në Parlamentin Europian përfaqëson Frontin Kombëtar francez kërkoi të dinte nëse Komisioni vazhdon i qëndron deklaratës së zëdhënëses Maja Koçijançiç të bërë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Në atë deklaratë, zëdhënësja i vlerësoi zgjedhjet si “të qeta, të miradministruara dhe të rregullta”.

“A e konfirmon Përfaqësuesja e Lartë deklaratën e zëdhënëses Maja Koçijançic, e cila i vlerësoi zgjedhjet e shenjuara nga bojkoti masiv i opozitës dhe nga një pjesëmarrje shumë e ulët, “shumë mirë të administruara”? Mbi bazën e diskutimeve me autoritetet shqiptare dhe partnerët, si e sheh Përfaqësuesja e Lartë krizën politike në Shqipëri dhe ndikimin që mund të ketë për negociatat?”, janë pyetjet e drejtuara nga eurodeputetja Bild për Komisionin Europian.

Pyetjet i janë adresuar Komisionit përmes mekanizmit të pyetje-përgjigjeve me shkrim “online” para vendimmarrjes së 18 tetorit për çështjen e negociatave. Përgjigja që mban firmën e Federica Mogherinit për llogari të Komisionit Europian ka mbërritur pas kësaj vendimmarrjeje. Ajo që bie në sy është se përmes kësaj përgjigjeje konfirmohet qëndrimi fillestar i Komisionit sa i takon 30 qershorit. Për Komisionit, procesi vlerësohet për zhvillimin “e qetë dhe të rregullt”, por pa i hyrë interpretimit nëse ishte kushtetues apo jo.

“Zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri u zhvilluan mes një përçarjeje politike të forta, por përgjithësisht ishin të qeta dhe të rregullta”, vlerëson Komisioni.

Duke iu përgjigjur pyetjes së fundit që ka të bëjë me çështjen e negociatave, Komisioni rithekson se anëtarësimi i Shqipërisë është pjesë e vizionit për një BE më të fortë dhe se Komisioni ka rekomanduar edhe në maj të 2019 hapjen e negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë