Taksa

BE të premten kundër-tarifa ndaj SHBA-ve

Lufta tregtare mes BE-së dhe Amerikës duket pas derës. Bashkimi Europian të premten do të nisë sagën e tarifave hakmarrëse kundër eksporteve amerikane, ka deklaruar një zyrtar i lartë.

Lëvizja vjen pasi presidenti amerikan President Donald Trump vendosi detyrime të mëdha tarifore për çelikun dhe aluminin herët këtë muaj.

Eksportet amerikane si blue jeans, motoçikleta dhe uiski burbon do të taksohen, konfirmoi komisionerja e tregtisë Cecilia Malmstrom.

Megjithatë ajo shtoi se blloku "nuk donte të ishte në këtë pozitë ".

" Vendimi i njëanshëm dhe i pajustifikuar i SHBA-ve për të imponuar tarifat mbi çelikun dhe aluminin e BE-së do të thotë që ne mbetemi pa zgjedhje të tjera ", tha ajo.

Brukseli hartoi listën e produkteve në mars, kur fillimisht presidenti Trump propozoi tarifat 25 për qind mbi importet e çelikut dhe 10 për qind mbi aluminin e BE-së, të cilat gjithashtu synojnë Kanadanë, Meksikën dhe aleatë të tjerë të ngushtë të SHBA-ve.

Lëngu i portokallit, qumështi, gjalpi janë në shënjestër mes shumë mallrave të tjera.

Kjo nismë vjen në mes të një marrëdhënie intensive tregtare midis SHBA-ve dhe partnerëve të saj.

Të martën, presidenti Trump kërcënoi që do të vendoste detyrime tarifore shtese për mallrat kineze prej 200 miliard dollarësh (£151bn) pasi goditi produkte të tjera me tarifë 50miliard dollarësh.

Ai tha se detyrimet prej 10% do të hynë në fuqi nëse Kina "refuzon të ndryshojë praktikat e saj".

Megjithatë, Kina akuzoi SHBA-të për "shantazh" dhe tha se do të "luftojë në mënyrë të vendosur", duke ngritur frikën e një lufte të plotë tregtare.

Si nisi e gjithë kjo?

Trump lajmëroi në muajin mars një plan për tarifa mbi çelikun dhe aluminin që vinin nga jashtë kufijve duke i justifikuar me sigurinë kombëtare.

Ai argomentoi atëherë se furnizimi global i çelikut dhe aluminit, i drejtuar nga Kina, kërcënon prodhuesit amerikanë të çelikut dhe aluminit, të cilët janë jetike për SHBA-të.

Që prej lajmërimit të Trump, Korea e Jugut, Argjentina, Australia dhe Brazili janë dakorduar për të vendosur kufij në vëllimin e metaleve që ata mund të dërgojnë në SHBA si kundërpërgjigjje ndaj tarifave.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se tarifat ishin një "fyerje", ndërsa BE i cilësoi ato "thellësisht zhgënjyese".

Të premten, Malstrom e quajti reagimin e BE-së proporcional dhe në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ajo tha se kundërmasat do të hiqen nëse Uashingtoni do të hiqte tarifat e metalit.

Eksportet e çelikut dhe aluminit të BE-së që tani përballen me tarifat amerikane janë me vlerë prej 6.4 miliardë euro (£ 5.6bn).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë