Bota

BE për sanksione më të ashpra ndaj Iranit, por të paqartë se për çfarë

"Ministrat u kërkojnë të gjithë aktorëve në rajon, që të tërhiqen nga qëndrimet radikale që çojnë në humnerë!" Me këtë apel të fortë iu drejtua pas mbledhjes së jashtëzakonshme të ministrave të Jashtëm të BE-së përmes video-konferencës, i ngarkuari për politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ai tha, se sulmi i pashembullt i Iranit ndaj Izraelit është një përshkallëzim deçiziv. Tani duhet të synohet, shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm. Shahu politik me goditje dhe kundërgoditje duhet të marrë fund, në rast të kundërt Lindja e Mesme mund të shkasë në një kaos të plotë. Këtë nuk mund ta dojë askush. Ministrat e Jashtëm të BE-së janë plotësisht në unanimitet”, tha i ngarkuari për politikën e jashtme duke lënë të kuptohet, se nga Izraeli dhe Irani pritet që të tërhiqen nga veprimet përshkallëzuese.

Sanksione më të ashpra kundër Iranit

Disa ministre e ministra, si edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kërkuan sanksione më të ashpra ndaj regjimit të Iranit. Borrell tha se tani po shqyrtohen sanksionet ekzistuese dhe mundësia për t'i zgjeruar ato. Mund të sanksionohet prodhimi i dronëve iranianë, që deri tani janë furnizuar në Rusi dhe ndërkohë po eksportohen edhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Vendimet për këtë pritet të merren javën e ardhshme.

Të tjerë ministra propozuan, që t'u vendosen sanksione gardës revolucionare iraniane dhe njësive elitë të ushtrisë. I ngarkuari i BE-së për politikën e Jashtme tërhoqi vëmendjen, se këto sanksione ekzistojnë ndërkohë që prej vitit të kaluar. Një klasifikim i gardës revolucionare si grup terrorist, ngjashëm si Hamasi, deri tani ka dështuar për shkak të pengesave ligjore. Për një klasifikim zyrtar duhet të ekzistojë një akt konkret i gardistëve revolucionarë ndaj BE. Deri tani nuk ka njoftim për një rast të tillë, tha Borrell. Por edhe kjo synohet t'u kalohet për verifikim juristëve të Komisionit të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë