Lajme

BE ngre njësinë kundër krimit financiar

Bashkimi Europian sot ka ngritur njësinë e parë investigative kundër krimit financiar. Qëndra Europiane e Krimit Financiar dhe Ekonomik (European Financial and Economic Crime Centre, EFECC) do të jetë brenda Europol-it dhe agjencia do të punësojë rreth 65 analistë që do të merren me mbledhjen e analizimin e inteligjencës.

“Goditja nga pandemia e Covid-19  ka dobësuar ekonominë tonë dhe ka krijuar vulnerabilitete të reja nga të cilat krimi mund të shfaqet”, shprehet drejtoresha e Europol-it, Catherine De Bolle, duke shtuar se kjo qëndër do të fokusohet në luftimin e pastrimit të parave, skemave të mashtrimeve financiare dhe korrupsionit, të cilat zakonisht rriten në kohëra krizash.

https://www.youtube.com/watch?v=a4h0lhgHDb8
Konferenca për shtyp e ngritjes së Qëndrës Europiane të Krimit Financiar dhe Ekonomik

Europol shprehet se sektorë si konstruksioni, argëtimi, udhëtimi dhe turizmi janë në risk më të lartë për tu infiltruar apo zotëruar nga kriminelët gjatë krizave ekonomike teksa kompanitë luftojnë për t’i mbijetuar rënies ekonomike.

Drejtoresha Catherine gjithashtu ka paralajmëruar se subvencionet të ofruara gjatë pandemisë “ do të shënjestrohen nga keqbërësit për të mashtruar me fondet publike”. Mashtrimet që kanë të bëjnë me pajisjet mjekësore gjithashtu janë në ngritje.

Analistët e Europolit do të ndihmojnë autoritetet brenda 27 vendeve anëtare të BE-së për të kryer investigime kundrejt krimit financiar dhe ndarjes së inteligjencës së mbledhur.

Njësia e sapongritur nga BE-ja, brenda Europolit, pritet gjithashtu që të ndihmojë me konfiskimin e fitimeve të krijuara nga krimi, ku veçse 1% e tyre sipas përllogaritjeve të Europolit janë kapur e konfiskuar ne Europë.

Burimi: Reuters. Përshtati në shqip Gazeta “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë