Politike

BE 411 milionë euro për Ballkanin, Varheli letër Ramës: Do t’ju ndihmojmë!

BE ka akorduar një shumë prej 411 milionë euro për Ballkanin Perëndimor për të luftuar pasojat që lë pas kriza e koronavirusit, ku 373 milionë do të jepen për vendet për rimëkëmbjen ekonomike dhe 38 milionë euro për mbështetje të menjëhershme të sistemit shëndetësore që të mos pësojnë kolaps për shkak të numrit të lartë të të infektuarve.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi i ka dërguar një letër Kryeministrit Edi Rama lidhur me mbështetjen që BE i dha Shqipërisë për të kaluar krizën COVID-19. Varhelyi shprehet se BE po studion mënyrat e përfshirjes së Shqipërisë në ‘iniciativat që BE pnë përgjigje të pandemisë, apo sesi të mbështesë më mirë në lehtësimin e ndikimit të tij socio-ekonomik”.

Ashtu siç e deklaroi edhe ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, në drejtim të mbështetjes financiare, Varhelyi ka udhëzuar disbursimin e 50 milion eurove. Nga këto 4 milionë do të jepen për pajisje mjekësore dhe mbështetje të shëndetësisë, 11 milionë për mbrojtje sociale dhe 35 milionë euro do të jepen për rimëkëmbjen e ekonomisë pas krizës së pandemisë.

Në lidhje me qarkullimin e mallrave thelbësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri për Zgjerimin nënvizon mbështetjen e krijimit të ‘kanalit jeshil” të qarkullimit të mallrave midis BE-së dhe rajonit por bën thirrje “ për bashkëpunim të plotë dhe të veproni si një rajon i vetëm, sepse vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe solidaritetit një sfidë e kësaj madhësie mund të tejkalohet”.

Në mbyllje të letrës Varlehyi rithekson se ‘kjo është një situate e cila evoluon me shpejtësi dhe ne na duhet të përshtatemi në varësi të situatës” dhe se do jemi më të forte në përfundim të krizës nëse bashkëpunojmë.

Në një postim në Twitter, Varhelyi tha se kjo ndihmë e BE vjen për vendet e Ballkanit për t’i bërë ballë krizës së koronavirusit.

"U shkrova kryeministrave të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë të qartë që ne do të jemi përkrah rajonit në luftën kundër pandemisë së coronavirusit. Jemi duke ndarë 38 milionë euro për mbështetje të menjëhershme të sistemeve shëndetësore, si dhe është parashikuar të jepen rreth 373 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike e sociale", tha Varhelyi.

Shqipëria dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit janë lënë tani për tanimë të vetme përballë pandemisë globale, mes mungesës së maskave, tamponëve, dezinfektantëve por edhe stafit mjekësor, i cili ka emigruar drejt Gjermanisë.

Bashkimi Europian ka parashikuar se koronavirusi mund të prekë rreth 70% të popullsisë së Europës, një skenar i papërballueshëm jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga një pjesë e madhe e vendeve anëtare të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë