Menaxhim

BB: Digjitalizimi i bujqësisë shqiptare në nivel mesatar

Banka Botërore ndërtoi indeksin e digjitalizimit të bujqësisë në rreth 180 shtete dhe i dha Shqipërisë një vlerësim mesatar me  74.4 pikë.

Vlerësimi i shkëlqyer ishte mbi 75 pikë ndërsa ai mesatar ishte nga 50 deri në 74.9 pikë.

Ky indeks mori në konsideratë shtrirjen e rrjeteve 2, 3 dhe 4 G në zonat ku zhvillohet bujqësia.

Sipas të dhënave, interneti me shpejtësi 2 dhe 3G mbulon më shumë se 99.6% të sipërfaqes së vendit ku zhvillohet bujqësia ndërsa interneti me shpejtësi  4G mbulon vetëm 35% të sipërfaqes.

Mbulimi me internet i zonave ku zhvillohet bujqësia i dha vendit tonë 73.8 pikë.

Përballueshmëria e internetit nisur nga aspekti i çmimeve dhe disponueshmërisë së një telefoni, e renditi vendin tonë më dobët, me 60.4 pikë.

Shqipëria mori 99 pikë për aksesin në tregje dhe 100 pikë për aksesin në energji elektrike.

Për aftësinë bazike të punonjësve Shqipëria mori një vlerësim prej 72.6 pikë.

Në krahasim me vendet e Rajonit vlerësim më të lartë se Shqipëria mori Serbia dhe Mali i Zi ndërsa vlerësimin më të dobët e kishte Bosnja.

Bujqësia kontribuon me 24% të emetimeve të karbonit dhe konsumon 70% të ujit të ëmbël. Efektet negative të bujqësisë në mjedis u llogariten në 12 trilionë dollarë më 2019.

Banka Botërore vlerëson se bujqësia është thelbësore për arritjen e Zhvillimit të Qendrueshëm dhe ka potencial për të krijuar një ekonomi të shëndetshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë