Pas asaj fitoreje të rëndësishme në derbin me Partizanin, Tirana nuk mund të gabonte ndaj Flamurtarit të vendit të fundit, aq më tepër në fushën e saj. Në fakt, bardheblutë kanë vuajtur ndaj vlonjatëve, të cilët kanë luajtur mirë, sidomos në pjesën e parë, por në fund kanë triumfuar kryeqytetasit 2-0.
Batha me penallti dhe më pas argjentinasi Torasa, dy ish-lojtarë të Flamurtarit sezonin e kaluar, kanë shënuar në pjesën e dytë, duke regjistruar fitoren e radhës për Tiranën. Një fitore që e ngjit skuadrën bardheblu në kuotën e 25 pikëve, po aq sa ka edhe Partizani. Duhet theksuar se Tirana, që edhe këtë herë është drejtuar nga trajneri i portierëve, Emanuel Egbo, kishte shumë mungesa përballë Flamurtarit, ku veçohen Hasani, Ngo, Dunga, Kobina dhe Çelhaka.
Pas kësaj fitoreje, Tirana mban vendin e 4-t dhe është 5 pikë larg vendit të parë, që mbahet nga Kukësi. Ndeshjen e radhës bardheblutë e kanë në transfertë me Laçin, një rival direkt në garën e titullit kampion. Drejtuesit e klubit ndërkohë vazhdojnë të punojnë për çështjen e trajnerit të ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.