Politike

Basti i Bashës: Zgjedhjet i fitojmë në çdo moment

Nga Fushë-Arrëzi, Lulzim Basha bëri bilancin 6-mujor të braktisjes së Kuvendit nga ana e opozitës dhe sfidoi Edi Ramën se në çdo moment që të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme, Partia Demokratike dhe aleatët e saj është fituese e tyre dhe këtë bindje thotë se nuk e ka vetëm nga sondazhet.

"Nuk janë vetëm sondazhet ato që tregojnë PD dhe aleatët fitues të zgjedhjeve të ardhshme, të lira e të ndershme kurdo që të mbahen ato, por është vetë përmasa e 30 qershorit. Janë 85 për qind e shqiptarëve të cilët ushtuan me refuzimin e tyre në 30 qershor, thirrjen kombëtare: "Rama ik" dhe vulosën kësisoj aleancën më të madhe politike që ka njohur Shqipëria dhe shqiptarët që nga vitit 1992", u shpreh ai.

Basha përsëriti se Qeveria është braktisur edhe nga vetë socialistët.

"Me 30 qershor Edi Ramën dhe regjimin e tij e kanë braktisur edhe socialistët e ndershëm. 30 qershori është dita e bashkimit më të madh "Rama ik", por është edhe një klithmë, një kushtrim për ndryshim”, shtoi ai.

Kreu i Partisë Demokratike kërkoi nga anëtarësia e partisë që t’u përgjigjen thirrjeve të qytetarëve që kërkojnë ndryshim.

"Prej nesh shqiptarët kërkojnë më shumë se denoncime, më shumë se përballje, kërkojnë më shumë siguri për të nesërmen dhe rrugën e ndryshimit të vërtetë ku gjithkush do të jetë më mirë. Tani ka ardhur koha t’u ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo krizë e tmerrshme dhe ta shndërrojmë shumicën 85 për qind "Rama ik", në shumicën e re qeverisëse që do t’i prijë transformimit ekonomik dhe politik të vendit", u shpreh Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë