Portofol

Bashkitë si agjenci punësimi, as taksat nuk mbledhin dot

Me gjithë periudhën e gjatë e në process të decentralizimit, efiçenca e 61 njësive vendore rezulton të jetë e dobët në mbledhjen e taksave në tre muajt e parë të vitit 2018 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bashkitë mbledhin më pak taksa dhe shpenzojnë më shumë për paga.

 

Raporti për financat vendore i përgatitur nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit tregon se përgjatë periudhës së studimit, burimet financiare totale në dispozicion të qeverisjes vendore regjistruan një vlerë 16.3 miliard lekë, në ulje me rreth 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Të ardhurat nga burime të veta (nga taksat, tarifat, asetet dhe të tjera) regjistruan një vlerë prej rreth 4.0 miliard lekë, me një rënie prej 149.1 milionë lekë ose 43.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performanca e mbledhjes së të ardhurave përgjatë periudhës së studiuar nga analiza e raportit rezulton të jetë kushtëzuar nga performanca relativisht e ulët e të ardhurave nga taksat vendore të cilat regjistruan një nivel prej rreth 2.2 miliard lekë, në ulje me rreth 24.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

 

Duke marrë në analizë të gjithë zërat, vihet re se në mbledhjen e dobët të taksave ka ndikuar rënia e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. (Baza e taksës është vlera e një investimi të ri që kërkohet të kryhet. Vlera e taksës shprehet si përqindje ndaj vlerës së investimit, 1% deri në 3% e vlerës së këtij investimi për gjithë Bashkitë dhe Komunat, përjashtimit për Bashkinë e Tiranës, kjo taksë është 2% deri 4% e vlerës së investimit. Investitori është subjekt i këtij tatimi.)

 

 

 Në terma vjetorë, të ardhurat nga kjo taksë shënuan një nivel prej rreth 998.0, në rënie me rreth 40.7% krahasuar me nivelin e saj në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Argumenti për performancën e dobët të kësaj takse në tremujorin e parë të vitit është periudha e vitit gjatë të cilit niveli i ndërtimeve është i ulët krahasimisht me pjesën tjetër të vitit. Kjo taksë është lidhur ngushtësisht me nivelin e aktivitetit ndërtues në vend, privat (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore) dhe publik (investime publike të ndërmarra nga qeveria qendrore, të cilat zakonisht janë të përqendruara kryesisht në gjysmën e dytë të vitit). Megjithatë, mbetet për t’u vëzhguar ecuria e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për vitin 2018, nëse kjo është një situatë e mungesës së efiçencës së mbledhjes së saj apo efekti është sezonal i diktuar thjesht nga periudha e fillimvitit.

 

Referuar raportit, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukture në buxhetin e bashkisë Tiranë zënë rreth 68.7% të totalit të të ardhurave nga kjo taksë. Në tremujorin e parë u mblodhën rreth 686.4 milionë lekë, në rënie me rreth 48.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në bashkitë Vlorë dhe Durrës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukture përfaqësuan rreth 3.7% ndaj totalit dhe kontribuan me rreth 36.7 dhe 37.1 milionë lekë në buxhetet respektivë.

 

Të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme

 

 

Për tremujorin e parë të vitit 2018, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme regjistruan një vlerë prej rreth 618.7 milionë lekë, me një rritje modeste prej 1.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017. Rritje rrezulton nga taksa mbi tokën bujqësore e cila ka shënuar një rritje prej 16.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sepse të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat ka pësuar rënie me 3% gjatë periudhës janar-mars 2018. Taksa e truallit vazhdon të rezultojë pa të ardhura të regjistruara edhe në tremujorin e parë të vitit 2018, ashtu sikurse evidentohet dhe në të gjitha periudhat e tjera të marra në shqyrtim në vitete paraardhëse.

 

Kjo sjellje mendohet të vijë si pasojë e e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jetë edhe si pasojë e mungesës së raportimit financiar.

 

Të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël rezultojnë të luhatshme. Në tremujorin e parë të vitit 2018, të ardhurat nga kjo taksë shënuan rritje të ndjeshme vjetore në rreth 184.5 milionë lekë, në rritje nga niveli prej rreth 32.0 milionë lekë i regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e parë të vitit 2018, të ardhurat nga tarifat kontribuan me rreth 1.8 miliard lekë në buxhetet vendore, rreth43.4% më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2017. Të ardhurat nga tarifat e shërbimeve publike vijojnë të kenë peshën kryesore në totalin e të ardhurave nga tarifat vendore: në periudhën në analizë, tarifat e shërbimeve publike regjistruan një vlerë prej rreth 828.1 milionë lekë, në rritje me rreth 49.1% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

 

Tarifat e shërbimit

 

 

Njësitë vendore vazhdojën të paraqesin prombleme në lidhje me mbledhjen e të ardhurave nga tarifa e shërbimit të ujit. Të ardhurat nga tarifa për furnizimin me ujë dhe kanalizimet regjistron një vlerë tepër të ulët e cila rezulton e mbledhur vetëm nga bashkia Ura Vajgurore. Kjo për vetë faktin se të ardhurat nga kjo tarifë mblidhen thuajse ekskluzivisht nga ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizime (të cilat janë në pronësi të bashkive) duke mos u regjistruar kësisoj në llogaritë e të ardhurave të njësive të qeverisjes vendore.

 

Gjithashtu, dhe të ardhurat nga tarifa për shërbimin e ujitjes dhe kullimit regjistron shifra relativisht modeste, të cilat janë grumbulluar nga bashkitë Elbasan, Roskovec dhe Lushnjë. Kontribuesi kryesor në të ardhurat nga tarifat e shërbimeve janë të të ardhurat nga tarifa për mbledhjen dhe largimin e mbetjeve e cila zë rreth 88.8% të totalit, e ndjekur nga tarifa për ndriçimin publik (6.9%) dhe tarifa për gjelbërimin (4.1%).

 

Tarifat për zënien dhe përdorimin e hapësirës publike dhe të fasadave gjithashtu ka pësuar një rritje të konsiderueshme në periudhën në analizë duke shënuar një vlerë prej 297.4 milionë lekë nga 90.5 milionë lekë të mbledhura në të njëjtën periudhë të vitit 2017.

 

Tarifat per zenien e hapesirës publike Total tarifa vendore hapësirës publike për qëllime biznesi zë peshën më të lartë me rreth 42.1% të totalit me një diferencë të vogël me të ardhurat nga tarifa për parkingjet (41.9%). Lidhur me të ardhurat nga tarifa për parkingjet, vlen për t’u përmendur fakti se vetëm bashkia Tiranë mbledh rreth 84.7% të totalit të kësaj tarife, duke lënë dukshëm pas sidomos bashkitë e tjera të mëdha, qendër qarku, të cilat kanë gjithashtu një potencial më të madh për vjeljen e saj, konsideruar numrin relativisht të lartë të banorëve dhe automjeteve.

 

Duke e parë buxhetin e bashkive në lidhje me zërat që përbëjnë pjesën e buxhetit mbi llojet e burimeve e veta të financimit (mbi të cilat bashkitë kanë të drejta vendimmarrje të plotë apo të pjesshme) vihen re diferenca të mëdha ndërmjet tyre edhe në tremujorin e parë të vitit 2018. Mesatarisht për 61 bashkitë në vend, të ardhurat nga burimet e veta përfaqësojnë rreth 20% të burimeve të veta të financimit, të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar dhe ajo specifike rreth 77.9% dhe të ardhurat nga taksat e ndara zënë një peshë të ulët në totalin e të ardhurave (rreth 2.1%). Përdorimi relativisht i të ardhurave nga transferta e pakushtëzuar gjatë tremujorit të parë të 2018, mund ta gjejë shpjegimin tek nevojat në rritje për të kryer shpenzime që vijnë kryesisht si pasojë e faturave të papaguara në fund të vitit 2017, si dhe tek niveli relativisht i ulët i realizimit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat (që është deri diku i pranueshëm për këtë periudhë të vitit).

 

Në nivel bashkie, pesha që zënë të ardhurat e veta

 

 

(taksa, tarifa dhe të tjera) në totalin e burimeve të financimit luhatet në një interval të gjerë vlerash: vlera minimale u regjistrua në bashkinë Pustec me 2.9% dhe vlera maksimale në bashkinë Tiranë me rreth 65.9%. Në përpjesëtim të zhdrejtë, aty ku të ardhurat nga burimet vendore janë të ulëta, të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike financojnë gjerësisht buxhetin e bashkisë. Konkretisht, në bashkinë Pustec, të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar përfaqësojnë 96.5% të të ardhurave vendore dhe në bashkinë Tiranë vetëm 30.5%. Bashkia Pustec dhe bashkia Tiranë janë dy raste ekstreme, por diferencat ekzistojnë dhe janë të theksuara ndërmjet bashkive në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë