Taksa

Bashkitë mblodhën më pak taksa në 2023. Bien të ardhurat nga tatimi i pasurisë

Nga Gazeta ‘SI’ - Arkëtimet e bashkive në vend për periudhën janar-shtator 2023, deklarohen më të ulëta se të një viti më parë, me rreth 800 mln lekë ‘të munguara’.

Pushteti vendor arkëtoi 21.3 mld lekë deri në fund të shtatorit 2023, 3.6% më pak se e njëjta periudhë 2022.

Sipas analizës së Ministrisë së Financave, ulja ka ardhur si pasojë e mungesës së investimeve të reja në ndërtim, që përfshin një sërë detyrimesh tatimore, por edhe ndryshimet në ligjin e biznesit të vogël, ku tatimi mbi fitimin u zërua.

Gjithsesi, po vetë MFE përmend se ndikim në rënien e të ardhurave tatimore ka pasur edhe mosarkëtimi nga strukturat vendore.

Taksat lokale

Nga shuma totale, 78% i përket taksave lokale, 16.7 mld lekë. kjo shifër është rreth 400 mln lekë më e ulët se vlera e mbledhur gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2022. Në këtë grup të taksave, vërehet se pjesën më të madhe të tyre e zë “taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, që sipas të dhënave të 9 mujorit 2023 ka një ulje të konsiderueshme sidomos në bashkinë Tiranë, ku rezultojnë rreth 1.3 mld lekë më pak realizim nga “taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja” krahasuar me 9 mujorin 2022.

Kjo rënie e të ardhurave nga ky burim vjen edhe si pasojë e uljes së investimeve të reja në ndërtim në këtë periudhë, krahasuar me një vit më parë.

Taksa e pasurisë

Taksa e pasurisë zë 21.8% të totalit të të ardhurave nga taksat në bashkitë e vendit. Kjo taksë, që përfshin ndërtesën, truallin, tokën bujqësore dhe shit-blerjet i dha buxhetit të pushtetit vendor 4.6 mld lekë për të njëjtën periudhë. Edhe ky tregues është në rënie me rreth 400 mln lekë, përkthyer në 8% më pak.

Biznesi i vogël

Ndryshimet fiskale në vitin 2020 zeruan tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe tashmë ky zë ka vetëm 0.2% të totalit, përkthyer në 46 mln lekë. edhe kjo vlerë vjen si pasojë e detyrimeve që janë shlyer me vonesë. Disa nga njësitë e vetëqeverisjes 89 vendore mbledhin detyrime nga ky burim për ato subjekte të cilat nuk kanë kryer pagesat brenda afatit dhe rezultojnë debitorë.

Të ardhura jotatimore

Një burim tjetër i rëndësishëm i të ardhurave të veta vendore që lidhet drejtëpërdrejt me aktivitetin e pushtetit vendor janë të ardhurat jotatimore. Për 9 mujorin e vitit 2023, njësitë e vetëqeverisjes vendore në shkallë kombëtare kanë mbledhur të ardhura jo tatimore në masën mbi 2.2 miliardë lekë, shifër kjo pothuajse e njëjtë me vlerën e të ardhurave të mbledhura gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2022.

Në një raport të vitit 2022 nga Instituti i Zhvillimit, Co-Plan, taksa mbi ndërtesat ‘mbante në këmbë’ bashkitë e vendit, me 10.1 mld të arkëtuara për 12 muaj. 73% e vlerës së kësaj takse është arkëtuar në bashkinë Tiranë, lidhur me ndërtesat e reja.

Co-Plan thekson se sa më shumë vend të zërë kjo taksë në thesin e bashkive, aq më të ekspozuara bëhen ato ndaj sektorit të ndërtimit. Atëherë kjo taksë zinte 46% të totalit të taksave vendore.

Ndonëse të ardhurat nga to duken pozitive, Co-Plan thekson se problematikat e lidhura me të drejtat e pronësisë dhe mungesës së regjistrave kadastralë, ndër të tjera pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit të kësaj takse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë