Futboll

Bashkimi Europian kundër Botërorit çdo 2 vjet, gati takimi Infantino-Ceferin

Organizimi i Botërorit çdo dy vjet po shndërrohet në një çështje ndërkombëtare. Lajmi i mirë është se me në fund, Xhani Infantino dhe Aleksander Ceferin do të takohen në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar për temën që rrezikon ta “çajë” topin ashtu si Super Liga, ndoshta edhe më shumë. E teksa bota e futbollit është e ndarë, në lojë ka hyrë edhe Bashkimi Europian.

"Mbështes plotësisht dyshimet e federatave europiane të futbollit në lidhje me mundësinë e organizimit të Kupës së Botës çdo dy vjet", - ka thënë zëvendëspresidenti i Komisionit të Bashkimit Europian, Margaritis Schinas. Sipas tij, “Europa është epiqendra e futbollit dhe kemi për detyrë të ruajmë një model që respekton interesat e tifozëve, mirëqenien fizike të lojtarëve dhe logjikën e përgjithshme të kalendarit sportiv global, jo vetëm interesat komercialë".

Margaritis Schinas, zv.president i komisionit te BE-se. Gazeta Si, 23 shtator 2021

Me këtë çështje është marrë edhe Parlamenti i BE-së, që këto ditë do të bëjë edhe një relacion në lidhje me politikën sportive: sipas një amendamenti të votuar nga të gjithë grupet, në fund të tetorit komisioni për kulturën i Parlamentit të BE-së do të votojë për të ftuar organizatat sportive "të respektojnë frekuencën e turneve sportivë ndërkombëtarë, në veçanti Europianët dhe Botërorët".

Projerkti i Botërorit çdo dy vjet, i ideuar nga Arsen Venger, parashikon një frekuencë të re, duke nisur nga 2028-a. Kualifikueset do të zhvilloheshin në këtë rast vitin paraardhës, në tetor, duke organizuar gati një muaj ndeshje. Kombëtaret europiane do të ndahen në 13 grupe me nga 4 skuadra 1 me 3 skuadra. 14 të parat shkojnë në Botëror, 2 vendet e tjera (për të shkuar 16) përcaktohen nga “play-off”-i.

Do të ketë edhe një lloj Kupe Konfederatash, ndërkohë që në kalendarin e Vengerit nuk ka hapësirë për Botërorin e klubeve. Për vitin 2028 është fiksuar Europiani, por vendi organizator nuk është përcaktuar ende. Një pjesë e mirë e të drejtave televizive tashmë është shitur.

Ceferin dhe Infantino. Gazeta Si, 23 shtator 2021

Duket se edhe ECA (shoqata e klubeve) do të pozicionohet kundër vendimit të FIFA-s, pasi kërkon që të mbrojë futbollistët nga një kalendar i gjykuar i papranueshëm. Federatat europiane dhe amerikano-jugore e kundërshtojnë projektin e FIFA-s. Në Europë, Gjermania, Portugalia dhe Anglia janë më të vendosura në këtë qëndrim. Takimi mes dy presidentëve Infantino dhe Ceferin duhet të jetë vendimtar. UEFA ka bërë me dije se nuk heq dorë nga Europiani dhe nuk do që ta organizojë atë çdo dy vjet. Dhe pas më pak se 14 muajsh do të zhvillohet në Katar Botërori i ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë