Politike

Bashkim me Berishën? Jorida Tabaku: Të rikthehemi në parlament, procesi do kohë

Bashkim me Berishën? Jorida Tabaku: Të rikthehemi në parlament, procesi do kohë

Nga Gazeta Si - Jorida Tabaku nuk përjashtoi një bashkim me strukturat e partisë së drejtuar nga Sali Berisha, por për të marrë vendimin final, ish nënkryetarja e PD duket se ka nevojë për pak më shumë kohë. “Unë po përpiqem të bëj opozitë duke marrë pjesë në protestë, duke plotësuar, me sa mundem, hapësirën e lënë bosh në komisionet parlamentare, po përpiqem t’u flas njerëzve dhe t’i jap kohë këtij procesi bashkimi për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme edhe me idenë e konfederatës që i mbledh të gjitha palët bashkë” tha zonja Tabaku në një intervistë për Gazetën "Si".

Një nga arsyet që pengon bashkimin tani me pjesën tjetër të grupit është mos-dakordësia me kryetarin e grupit Gazment Bardhi për të bojkotuar parlamentin. “Arsyet janë të drejta, por mënyra sesi po shkojnë gjërat, mendoj se nuk po na ndihmojnë. Sepse bashkimi i partisë pa lënë jashtë askënd, në frymën e konfederatës, bashkë me protestën, bashkë me parlamentin, duhej të kombinoheshin të gjitha bashkë” tha Jorida Tabaku për Gazeta "Si".

Gazeta Si: Pse vendosët të mos merrnit pjesë në procesin e bashkimit të grupit parlamentar me strukturat e PD të drejtuara nga Sali Berisha?

Jorida Tabaku: Nuk ka asnjë diskutim që unë jam pjesë e grupit parlamentar. Ky është një proces dhe nuk e ndajmë dot me thikë “e bëtë apo nuk e bëtë”. Ky është një proces që unë besoj se do të vazhdojë dhe dëshira ime është që në këtë proces të bashkohet çdo zë opozitar. Me zotin Bardhi kam luksin që të bie dakord dhe të mos bie dakord. Ai është edhe miku im. Psh, unë nuk bie dakord me të dhe me vendimin e grupit për aksionin në parlament. Arsyet janë të drejta, por mënyra sesi po shkojnë gjërat, mendoj se nuk po na ndihmojnë. Sepse bashkimi i partisë pa lënë jashtë askënd, në frymën e konfederatës, bashkë me protestën, bashkë me parlamentin, duhej të kombinoheshin të gjitha bashkë.

Gazeta Si: Si e keni parë bashkimin e Gazment Bardhit me Sali Berishën? Është diçka që i duhet opozitës, PD?

Jorida Tabaku: PD-së i duhet bashkimi i çdo zëri opozitar, i duhet kushdo. PD-sw i duhet të kalojë përtej individëve. I duhet të kalojë tek qytetarët. Secili prej nesh duhet të tejkalojë veten. Unë e kam dhënë shembullin tim, kam dhënë dorëheqjen nga pozicionet që kam pasur. Tani, unë po përpiqem të bëj opozitë duke marrë pjesë në protestë, duke plotësuar, me sa mundem, hapësirën e lënë bosh në komisionet parlamentare, po përpiqem t’u flas njerëzve dhe t’i jap kohë këtij procesi bashkimi për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme edhe me idenë e konfederatës që i mbledh të gjitha palët bashkë.

Gazeta Si: Është më mirë që PD ta bëjë betejën e saj me fjalë në parlament apo me bilbila duke protestuar?

Jorida Tabaku: Në 2019-ën nuk fituam asgjë, kur dolëm nga parlamenti. Lamë hapësirë  bosh dhe ata i kaluan ligjet. Çfarë arritëm me komisionin e inceneratorëve? Bëmë transparencë. Kjo është detyra jonë, të bëjmë opozitë, të bëjmë transparencë. Të shoqërojmë aksionin në parlament me aksionin në protestë, tek njerëzit dhe kudo. Ndërsa tani, ky pushtet arrogant po kalon pa procedurë, pa llogaridhënie, pa transparencë gjithçka që ka për të kaluar. Ne nuk i ndalojmë dot me votë, por ne flasim, kërkojmë llogari, ndërgjegjësojmë njerëzit.

Gazeta Si: Duhet të nisë grupi parlamentar i PD një strategji dalje nga bojkoti parlamentar?

Jorida Tabaku: E përmenda pak më parë, debati më i madh që kam me kolegun dhe mikun tim Gazment Bardhi është që grupi parlamentar duhet të përdorë çdo hapësirë, duhet të përdorë parlamentin, duhet të përdorim çdo forum.

Gazeta Si: Në vitin 2025, besoni që do të jeni deputete e PD-së?

Jorida Tabaku: Nuk ka rëndësi nëse jam apo jo deputete, ne duhet t’u flasim njerëzve. Sigurisht, që kam një investim politik, që unë, familja ime, ekipi im, njerëzit që më kanë besuar, demokratët që më kanë votuar, se unë nuk jam e izoluar prej tyre. Por e sigurt është që, ashtu siç kam bërë, pa asnjë pozicion, ka qenë privilegj për mua, shpresoj që të jetë privilegj edhe në të ardhmen që të përfaqësoj  demokratët. Do të vazhdoj të kontribuoj kudo ku është PD


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë