Lajme

Bashkia padit sërish Bashën për shpërdorim detyre

Kryedemokrati Basha paditet sërish nga Bashkia e Tiranës. Mësohet se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paditur Bashën për shpërdorim detyre, (gjatë kohës që ai i drejtonte bashkinë), pasi e akuzon se i ka dhënë vetes leje për ndërtim të një kati shtesë në kundërshtim të hapur me ligjin për konfliktin e interesit.
Në njoftimin për shtyp të Bashkisë, ky institucion i kërkon gjykatës: “Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, Vendimit nr. 9305/9, datë 01.08.2014 të Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Lejes së Ndërtimit nr. 9305/12, datë 25.08.2014 për strukturën “Shtesë 1 kat mbi strukturën ekzistuese 1 kat”, në rrugën “Skerdilajd Llagami” për pronën e regjistruar me nr. 6/121+2-29, ZK 8160, vol 22, faqe 90, pranë ZVRPP Tiranë në bashkëpronësi të Lulzim Bashës dhe bashkëshortes së tij Aurela Isufi (Basha) me zhvillues dhe subjekt ndërtues shoqërinë “ARCHIMED INTERNATIONAL” shpk”.
Në kërkesë-padinë e depozituar në Gjykatë, Veliaj pretendon se Basha ka nxjerrë akte administrative për interesa private të tij, të cilat sipas tij lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin dhe tjetërsimin e pasurisë në pronësi të tij dhe të bashkëshortes.
“Në rastin konkret ish-kryetari i Bashkisë, Z. Lulzim Basha, për një proces të rregullt ligjor dhe për vendimmarrje të drejtë dhe të paanshme, ndodhur në kushtet e konfliktit të interesit në mënyrë të drejtpërdrejtë pasi organi publik do të vendoste për një leje zhvillimore ndërtimi për shtëpinë e banimit të tij dhe bashkëshortes duhet të mënjanohej dhe të zgjidhte pa asnjë hezitim të vetëpërjashtohej paraprakisht nga procesi i vendimmarrjes dhe të delegonte këtë të drejtë tek zëvendësit e tij. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe opinioni i institucionit përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesave, ku në kthim përgjigje për Bashkinë e Tiranës, i është drejtuar duke i ilustruar një rast konkret, nëpërmjet manualit të konfliktit të interesave në pushtetin vendor, ku një kryetar komune, në cilësinë e anëtarit të KRRT-së së komunës nuk ka marrë pjesë në votim në miratimin e lejes së ndërtimit për vëllanë e tij. Në këtë rast leja është miratuar me shumicë votash të anëtareve të KRRT-së dhe kryetari i komunës ka nënshkruar vetëm aktin final të zbardhjes së lejes së ndërtimit”, thuhet më tej në padi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë