Sociale

Bashkia s’i ka paratë, Teatri bëhet me kredi

Bashkia e Tiranës nuk i ka paratë për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar, por për ta zgjidhur këtë problem do t’u drejtohet institucioneve financiare ndërkombëtare për kredi. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se për skemën e kredisë nuk është diskutuar ende dhe as është përzgjedhur ndonjë ofertë.

Veliaj këmbëngul se zgjidhja ideale do të ishte ndërtimi i godinës sipas skemës partneritet publik-privat dhe akuzoi artistët se e penguan këtë skemë.

“Versioni më ideal do të ishte me privatin. Arena Kombëtare është shembulli ideal, por kjo nuk u pranua nga artistët. Ne ishim me artistët. Ende nuk i kemi lekët, por do ta bëjmë me lekët e bankës. Do të marrim nga Banka Europiane e Investimeve”, deklaroi ai.

Veliaj solli si shembuj suksesi kreditë e marra nga banka e Abu Dhabit dhe Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim me garanci sovrane nga qeveria.

Kryebashkiaku përsëriti ftesën për bashkëpunim.

“Zemra dhe dora ime është e hapur. Kjo është një shtëpi artit bashkëkohor. Po ndërtojmë një ndërtesë 3 herë më të madhe, apo sa 6-fishi nga ajo që ishte në hipotekë”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë