Një ditë pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar që u shoqërua me përplasje dhe protesta nga ana e artistëve dhe shoqërisë civile, kryebashkiaku Veliaj i ka prezantuar Këshillit Bashkiak planet dhe projektin e Teatrit të ri.
Sipas Veliajt, Teatri i Ri do të jetë 8 mijë e 930 metra katrorë, 6-fishi i të vjetrit që kishte në hipotekë vetëm 1250 m2.
Veliaj thotë se Teatri i Ri do të ketë sallë të madhe me 650 vende kapacitet, dy auditore black-box dhe një sallë verore mbi tarracë.
“Bëhet fjalë për një Teatër 8 mijë e 930 metra katrorë. Në hipotekë i vjetri kishte vetëm 1250 m2. Për pjesën e zonës artistike do kemi 4 auditorë, një i madh sallë qendrore 650 vende, 750 m2 vetëm auditore. Black-box, me shfaqje intimitet me shije të rafinuar me 150 vende. 250 vende një black-box tjetër”, shprehet kryebashkiaku.
Veliaj tha se skena e teatrit do të jetë 630m2, më e madhja në Shqipëri, e ndërkohë do të shfrytëzohet edhe tarraca për teatër veror.
“Skena do të jetë 630 m2 skena më e madhja në Shqipëri. Kurse pjesa e qëndrimit të aktorëve, 520 m2. Në një vend ku do të kenë komoditet por dhe hapësirë për ndërrim kostumesh. Ambiente ndihmëse vetëm për skenën. Një auditor në tarracë që do e shfrytëzojmë tarracën si teatër veror me 380 m2”, shpjegon më tej Veliaj.
Ndër të tjera, Veliaj tha se Teatri i ri do të ketë dhe lokale dhe ambiente kateringu.
“Një shesh i mbuluar, këndi që krijon papioni në pjesën e poshtme do të jetë shesh dhe do të përdoret për koncerte. Do ketë zonë publike 450 m2. Ambient pritje dhe ambient ndihmëse 180 m2. Funksionet e kateringut. Teatri aktual kishte 8 lokale dhe përdornin për kafe dhe raki. Do ketë një recepsion, ndihmës, pritje për ambasadorët etj.
Do ketë ambiente të përbashkëta, shkallë, korridore 855 m2. Depo 300 m2. Do ketë hapësirë për administratën 400 m2, sipërfaqje zgjerimi nëse do të duhen më shumë zyra 520 m2. Kjo është skeda teknike”, tha Veliaj.
Veliaj sqaroi pse teatri nuk u rikonstruktua dhe arsyen pse u shemb natën.
Ai u shpreh se ndërtesa ishte primitive dhe e degraduar dhe nuk mund të rikonstruktohej kurrë me teknologjinë e sotme. “Edhe nëse do të rindërtohej, do duhen ta hidhnim poshtë ndërtesën dhe ta ndërtonim nga fillimi. Por nuk kishim asnjë gur të fortë, që i kishte bërë ballë kohës, i bie të ruanim copa tallashi dhe fije shkrepëse. Teatri i ri do ta pasurojë zonën. Godina nuk kishte vlerë, edhe vetë opozita kur ishte në pushtet e nxori të pavlerë. Fakti që në 70 vite nuk erdhi kurrë një trup e huaj të performojë do të thotë që nuk i përmbante kurrë cilësitë dhe vlerën për të qenë një vend modern”, u shpreh ai.
Ndërsa, faktit pse u shemb natën, Veliaj tha se ishte e rrezikshme që godina të prishej ditën dhe se është zgjedhur momenti me risk më të ulët. “Konflikti mbi Teatrin eskaloi kur u përfshi politika. Ne gjykuam që do të ishte e rrezikshme për artistët, nëse do të prishej në çdo moment tjetër të ditës. Për të respektuar vendimin e shumicës, zgjodhëm momentin kur mund të respektohej me riskun më të vogël. Kjo është arsyeja që ndërhymë në atë orë dhe më vjen mirë që nuk patëm të lënduar”, tha ai.
Sa u përket parave për ndërtimin e Teatrit të ri, Erion Veliaj tha se do të bëhet me kredi.
Veliaj thotë se Bashkia nuk i ka lekët për të bërë Teatrin, por do të marrë kredi nga bankat ndërkombëtare.
Për këtë do të ngrihet edhe një grup negociator vetëm për kredinë kurse një tjetër për detajimet e projektit.
Disa shembuj Veliaj i tha për mënyrën e financimit nga BIE, BERZH apo nga Banka e Abu Dhabit.
“Do marrim nga Banka Europiane e Investimeve, marrim kredi nga Abu Dhabi për lumin e Tiranës, nga BERZH për filtrimin e ujit. Pra qeveria i jep Bashkisë garanci sovrane, ne këtë e marrim nga bankat”, u shpreh ai.
Godina e Teatrit Kombëtar u shemb të dielën e 17 majit në orën 4:30 të mëngjesit duke u kthyer në një grumbull rrënojash dhe duke i dhënë fund një beteje më shumë se dyvjeçare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.