Politike

Basha: Zgjedhje të parakohshme, parlamentare dhe lokale në një ditë

Lideri demokrat, Lulzim Basha ka ritheksuar sot kërkesën për zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, si objektivi kryesor i opozitës.

Pas takimit me ambasadorin e BE Luigi Soreca, në një prononcim për mediat, Basha tha se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar.

Ai shtoi se kriza politike është krijuar nga qeveria dhe mentaliteti i KÇK-së.

“Gjithë beteja jonë është që zgjedhjet e parakohshme të bëhen sa më shpejt. Që të zgjedhin parlamentin që duan, bashkinë që duan, për të ndalur gremisjen e vendit. Për t’i dhënë shqiptarëve një qeverisje që i jep mundësi ekonomike dhe punësim. Kriza politike është krijuar nga mentaliteti i KÇK-së që është qeveria që vepron si e tillë. Nuk kanë ndryshuar ndonjëherë qëndrimet tona për të bërë një lajm të përditshëm. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale nuk janë dëshira të Lulzim Bashës dhe PD, por është detyrim për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza”, u shpreh ndër të tjera lideri demokrat.

Ndër të tjera, Basha tha se “beteja është t’u japim shqiptarëve mundësinë të zgjedhin nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Për ne Reforma Administrative është e dështuar. Nuk ka prodhuar ato që u premtuan, por më pak shërbime, taksa më të larta, militantë të punësuar. Në shërbim të zgjidhjes së krizës duhet të shihen edhe këto”.

Basha foli dhe për afatin e përfundimit të Reformës Zgjedhore, që paraprakisht është vendosur të jetë 15 Marsi. Sipas kryedemokratit, opozita është e gatshme që të japë të gjithë kontributin e saj që Reforma të përfundojë sa më parë, në mënyrë që vendit t’i hapet rruga për zgjedhje të parakohshme.

“Po bëjmë çdo përpjekje, s’do të ketë asnjë pengesë, por një angazhim total për të përfunduar Reformën Zgjedhore më 15 mars”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë