Lulzim Basha e interpreton largimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm si luftë brenda klaneve në Qeveri dhe pritshmëritë për Sandër Lleshin në krye të këtij dikasteri i ka të ulta.
“Fatmir Xhafaj u largua se ishte viktimë e luftës së bandave brenda qeverisë ku bënte pjesë edhe vetë. Ai u nuk ishte më 100 për qind i kontrolluar nga Edi Rama”, deklaroi këtë të premte në emisionin “Zonë e Lirë”, kreu i PD-së.
Largimin e tij e lidh me daljen e përgjimeve të Vangjush Dakos. Këmbëngul se Rama e largoi për të mbrojtur Dakon dhe vendosi në vend të tij një person që nuk është figurë politike. Mungesën e sfodnit politik të Sandër Lleshit e lexon si dobësi.
“Ky njeri ka qenë për 5 vjet këshilltar i Kryeministrit dhe vjen në një post politik. Nëse do të ishte një figurë politike do të ishte më e vështirë të kontrollohej nga Kryeministri. Ky është vasal i Kryeministrit”, u shpreh Basha.
Duke iu rikthyer akuzave të Vangjush Dakos, Basha thotë se Fatmir Xhafaj ishte duke e goditur kryebashkiakun e Durrësit.
“Dako është një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafaj nuk ishte më 100 për qind nën kontroll”, deklaroi ai.
Basha zotohet se Partia Demokratike është një parti e hapur për të gjithë dhe se modeli i ndjekur prej tij është vlerësimi i figurave të kësaj partie në bazë të punës që bëjnë me njerëzit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.