Kryedemokrati Lulzim Basha në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia blu deklaroi se gjendja e rendit është një emergjencë kombëtare. Krimi në Shqipëri është më i fortë se kurrë dhe po kontrollon të gjithë vendin.
“Në mes të qyteteve po ndodhin përplasje me armë, të cilat nxjerrin në pah, faktin që krimi është më i fortë se kurrë dhe kontrollon territorin dhe ekonominë. Organet e zbatimit të ligjit janë të shpartalluara dhe drejtuesit e tyre janë vënë në shërbim të krimit. Sot qytetet sundohen nga bandat që kontrollojnë gjithçka, kontrollojnë pushtetin politik, ekzekutiv, parlamentin e drejtësinë. Nga Tirana në Vlorë, Shkodër e Durrës grupe të rrezikshme kriminale përbëjnë sot aktivitetin e vetëm kriminal dhe ekonomik të vendit. Kanë shtënë në dorë gjithçka. Kudo në qytetet tona gjithçka kontrollohet nga bandat”, u shpreh Basha.
Duke u ndalur në Shkodër, Basha akuzoi sërish ministrin Ditmir Bushati për lidhje me bandën e Bajrajve.
“Njeriu që përfaqëson Shqipërinë para ndërkombëtarëve ka angazhuar krerët e bandës Bajraj, është njeriu që flet më shumë me ta”, theksoi Basha.
Kryedemokrati nuk ngurroi të lëshonte akuza edhe për vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj.
Sa i përket audio-përgjimit, Basha theksoi se videoja nuk është e manipuluar. “Regjistrimi është i vërtetë dhe zëri është i Agron Xhafajt”, tha Basha.
Sipas Bashës, edhe vrasja në ish-Bllok ndodhi si pasojë e pazareve të drogës dhe nuk ishte një sherr banal për këngëtaren Elvana Gjata.
Ai tha se në ngjarje u përfshinë trafikantë të njohur dhe të lidhur me pushtetin, duke lidhur ish-ministrin Saimir Tahiri me Ervin Matën që është ende në kërkim. “Ngjarja e fundit në Tiranë, që na u shit për katër ditë si përplasje për një këngëtare, është një përplasje për pazare droge. Janë të përfshirë trafikantë të njohur dhe dokumentuar me lidhje me pushtetin. E mbani mend kur Sajmir Tahiri u nis për në Gjermani, pasi ktheu pasaportën? E dini me kë ishte në Gjermani? Me këtë Matën e përfshirë në lokal, në goditjen me armë midis bandave rivale”, deklaroi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.