Kryetari i PD, Lulzim Basha qëndroi në një familje në Kamberas në njësinë administratrive Manëz. Në oborrin e banesës së dëmtuar, prindërit i rrëfyen Bashës se mbanin prej 8 ditësh në makinë fëmijën 8-muajsh, pasi nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër.
Ndihma e vetme që kjo familje kishte marrë, sipas prononcimit të tyre, ishte nga vullnetarët. Basha kërkoi që të merren masa menjëherë për strehim e kësaj familje dhe të familjeve të tjera që jetojnë në kushte të mjera në çadra.
PD thotë se pak pasi Basha u largua nga Manza banorët njoftuan se tek kampi i çadrave kanë shkuar përfaqësues të njësisë bashkiake dhe u kanë thënë të transferohen në një fushë kalçeto, gjë që është refuzuar nga banorët. Banorët thanë se atyre u është premtuar se do të sjellin kontenierë nga Fieri ku të strehohen, ide të cilën, PD thotë se e propozoi kryetari i Partisë Demokratike.
PD thotë gjithashtu se strukturat shtetërore reagojnë pas apelit të Bashës. “Pra zgjidhjet e propozuara nga shefi i opozitës janë përdorur si zgjidhje për familjet e dëmtuara nga tërmeti”, thotë PD.
Mbi këto pamje të shpërndara nga Lulzim Basha, Edi Rama i cilësoi raste njerëzish ende të pasistemuar që po përdoren për politikë. Rama thotë se në vend të gjetjes së këtyre rasteve Basha duhet të bashkëpunojë.
“I dashur Lulzim, asgjë më të keqe s’mund të bëjë një politikan në këto ditë të zymta, se sa të kërkojë raste njerëzish ende të pasistemuar për t’i përdorur për politikë! Ka shumë akoma që duan dorën tonë dhe ngrohtësinë e kujtdo që mundet t’ua japë! Eja të bashkëpunojmë. Mos u mjafto me fjalët e errëta e me pamjen që dukesh sikur e ke humbur ti shtëpinë, jo ata fatkeqë që kështu bëhen sfond mediatik, për të përcjellë zymtinë e politikës së stërvjetër, nē vend të ngrohtësisë njerëzore! Le t’i ndihmojmë së bashku me pak dritê, se zymti kanë boll”, thotë ai përmes Twitter-it.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.